Policia ka bërë të ditur detaje të reja lidhur me automjetin e djegur që u gjet një ditë më parë pranë një impianti për përpunimin e inerteve në Tapizë. Sipas hetimeve paraprake, mjeti dyshohet se është përdorur në një ngjarje kriminale të ndodhur më 3 tetor.
Automjeti i tipit “Peugeot”, i cili u gjet i djegur plotësisht, dyshohet të jetë përdorur nga autorët që pak ditë më parë kanë qëlluar me armë zjarri drejt murit rrethues të banesës së Qazim Kukës, një shtetas që jeton jashtë vendit. Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale, pa të lënduar.
Në makinën e djegur u gjetën dy armë automatike dhe një krehër fishekësh, të cilat po ashtu dyshohen të jenë përdorur gjatë ngjarjes.
Policia bën me dije se ngjarja është zbuluar pas verifikimeve dhe hetimeve intensive të kryera nga grupi hetimor. Aktualisht, vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.