Personi që shfaqet në video është 26-vjeçari Arbër Xhaxhaj, drejtuesi i automjetit të përfshirë në aksidentin tragjik të ndodhur te Ura e Dajlanit, ku humbi jetën pasagjerja 18-vjeçare, Vikena Greku.

Sipas të dhënave zyrtare, testimi i kryer pas aksidentit ka konfirmuar se 26-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur, me një nivel alkooli në gjak prej 0.5 mg/L.

Automjeti tip BMW me të cilin lëvizte i riu është futur me shpejtësi shumë të lartë në mbikalimin në zonën ku ndahen akset rrugore drejt Portit të Durrësit dhe zonës së plazhit. Dyshohet se drejtuesi ka tentuar të marrë drejtimin nga porti, por për shkak të shpejtësisë së lartë ka humbur kontrollin mbi mjetin.

Si pasojë, automjeti ka vijuar drejt, ka dalë nga mbikalimi dhe ka përfunduar në ambientet e një biznesi lulesh në anën tjetër të rrugës. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vijojnë nga autoritetet.