Detaje të reja janë mësuar nga vrasja e mbrëmjes të së enjtes në lagjen “Erdogan” në Laç ku mbeti i vrarë Ilir Gjini.
Sipas burimeve, viktima që njihej gjithashtu me 3 mbiemra të tjerë, Kokaj, Lika e Nure, është qëlluar me shtatë plumba. Autorët kanë hapur zjarr menjëherë pasi 40-vjeçari kishte parkuar automjetin e tij, ndërsa ai po i drejtohej hyrjes së pallatit ku banonte. Edhe pse ka tentuar të largohet, ai është ndjekur dhe qëlluar sërish pranë hyrjes së godinës.
Ai ndërroi jetë gjatë transportimit në spital pasi nuk u mbijetoi plagëve të marra.
Pas ngjarjes, forca të shumta policie kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në kuadër të hetimeve, disa persona janë shoqëruar në polici dhe po merren në pyetje për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.
Grupi hetimor po punon për të dokumentuar dinamikën e ngjarjes, ndërsa një nga pistat kryesore që po verifikohet lidhet me të kaluarën dhe konfliktet e mundshme të viktimës.
