Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për vrasjen e Bujar Nasufit, i cili u ekzekutua mbrëmjen e 12 janarit në Tiranë. Gazetari Igli Çelmeta raportoi se, pas shqyrtimit të kamerave të sigurisë, ka dalë se autori ka nisur nga një lagje e Kombinatit dhe është drejtuar në Selitë e Vogël, ku ka pritur mbi 15 minuta Bujar Nasufin i fshehur në një rrugicë pranë banesës së tij. Policia dyshon se autori e njihte mirë zonën, pasi ka përdorur vetëm rrugica alternative dhe nuk ka kaluar në rrugët kryesore.

Pasi kreu ekzekutimin, autori është larguar me motor dhe ka përdorur një rrugicë afër vendit të ngjarjes për t’u larguar, më pas është drejtuar në kodër Sharrë, ku ka djegur motorin. Hetimet vijojnë dhe grupi hetimor po kontrollon edhe kamerat e sigurisë për më shumë prova.

Dy ditë më parë, familjarët e të ndjerit janë pyetur sërish në lidhje me mundësitë e konflikteve të mundshme që viktima mund të ketë pasur. Aktualisht, pista kryesore që po hetohet është ajo e konflikteve për motive pronësie.