Eksperti i sigurisë Faik Basha ishte i ftuar sot në emisionin Breaking në Top News ku foli lidhur me çështjet e rënda që kanë tronditur vendin ditët e fundit. Një prej tyre edhe përdhunimi i shtetases 18-vjeçare italiane nga një 26-vjeçar shqiptar në qytetin e Durrësit.

Gjykata e Durrësit ka vendosur “arrest në burg” për 26-vjeçarin Leonardo Preza, i akuzuar për përdhunimin e një turisteje italiane 18-vjeçare në plazhin e Durrësit. Preza ka deklaruar se nuk kujton ngjarjen, pasi ishte nën efektin e drogës.

Ai ka precedentë penalë për armë pa leje dhe vjedhje dhe u arrestua pas denoncimit të viktimës. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së enjtes, kur vajza ishte vetëm në shezlong pranë një hoteli në lagjen nr.13.

Basha theksoi se ky person i cili ka kryer aktin duhet ndëshkuar me maksimumin ligjor dhe të rehabilitohet pasi nëse nuk ndodh kjo ka gjasa që aakti të kryhet sërish. Gjithashtu ai tha se ky është një fenomen në rritje ndaj dhe duhet dhënë një mësim i mirë.

“Duhet rehabilituar, ka gjasa t’i kthehet vepres së parë dhe tjerave, sepse nuk ka kryer rehabilitimin. Është rast i izoluar, por për shkak se është një rast që përhapet, drejtësia duhet të japë dënim dhe mësim, jo të kalojë atë që thotë ligji, por maksimumin ligjor, duke mos ofruar asnjë lehtësim prej gjestit të kryer, dëmit që ka shkaktuar personalisht dhe vendit, sepse ka përfshirë dy vende Shqipërinë edhe Italinë.”, përfundoi Basha.