Dëshmia


Policia do i dërgojë për njohje familjes së viktimës fotografitë e të dyshuarit


Gjatë marrjes në pyetje, Jashar Meta ka mohuar të ketë vrarë apo të kishte njohje me Petrit Kurtin


Silvana Muça


Autori i dyshuar për vrasjen e Petrit Kurtit, 27-vjeçari Jashar Meta, nuk e ka pranuar akuzën e ngritur nga Policia e Tiranës. Ai pretendon se nuk është vrasësi i tregtarit të Yzberishtit, ngjarje e cila ka ndodhur mbrëmjen e 23 gushtit, të këtij vitit. Meta ka kërkuar lirimin nga akuzat, duke pretenduar se nuk është përfshirë në një ngjarje të tillë kriminale. “Unë as nuk kam grabitur dhe as kam vrarë njeri dhe nuk e njoh personin që ju më përmendni”, është shprehur Meta, gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor. Në lidhje me vendndodhjen e tij, natën e krimit, 27-vjeçari thotë se nuk e mban mend se ku ka qenë, duke mos ngritur asnjë alibi për akuzën që policia ka ngritur.


Prova e vetme


Nga ana tjetër, uniformat blu të Tiranës thonë së Jashar Meta dyshohet që të jetë autori i krimit, pasi ka prova që e vërtetojnë akuzën, e ngritur ndaj të arrestuarit. Gjithsesi, hetimet ende nuk janë mbyllur dhe po vijojnë me intensitet, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe rrethanave në të cilën ndodhi krimi, ndërsa po punohet për të identifikuar edhe bashkëpunëtorin tjetër. Meta është arrestuar në fillim të muajit, pas një akuze të bërë nga bashkëshortja e tij, për kanosje me armë zjarri dhe ushtrim të dhunës fizike. Burimet bëjnë me dije se Meta ka qenë një nga personat e dyshuar për vrasjen e 53-vjeçarit Kurti, si pasojë e së shkuarës së tij kriminale. Pavarësisht kësaj, ai nuk është arrestuar, sepse polica nuk ka pasur asnjë provë bindëse. Deri më tani, grupi hetimor ka vetëm analizën e ADN-së, provë e cila është gjetur në copën e bluzës që ka mbetur në vendin e krimit, gjatë përleshjes mes vrasësit dhe viktimës. Kjo ka vërtetuar përfshirjen e Metës në krim. Gjithsesi duhet ende duhet shumë punë që të vërtetohet fajësia e 27-vjeçarit.


Ballafaqimi


Mësohet se grupi hetimor do t’u dërgojë familjarëve të viktimës fotografi të 27-vjeçarit. Bashkëshortja e Petrit Kurti ka qenë prezent në momentin e krimit. Ajo e ka parë nga afër vrasësin, por pavarësisht kësaj, nuk është në gjendje që të bëjë një identikit të tij. Rasim Nela, kunati i Petrit Kurtit, u shpreh dy ditë më parë për “Shqip”, se motra e tij është krejtësisht e shokuar dhe nga nata e krimit, ajo nuk kujton asgjë. Madje, edhe i biri i viktimës nuk është në gjendje që ta përshkruajë vrasësin. Ndonëse e ka parë të gjithë skenën e krimit, nuk ka mundur që ta njohë, sepse distanca ka qenë mjaft e madhe. I biri ka qenë në katin e tretë të shtëpisë dhe dyqanin e ka pasur përballë. Për më tepër, errësira ka ndihmuar që vrasësi të zhduket rrugicave të lagjes, në zonën e Yzberishtit. Dëshmitarët do të përballen me fotografitë e Jashar Metës. Ata do të thonë, nëse 27-vjeçari është apo jo personi që kanë parë natën, në të cilën është kryer vrasja. Gjithsesi nuk mund të pritet shumë prej familjarëve të viktimës, pasi ata i kanë dhënë dëshmitë, menjëherë pas krimit dhe nuk kanë mundur që të ndihmojnë policinë, duke e detyruar këtë të fundit të gjejë të tjera prova të pakundërshtueshme, kundrejt të akuzuarit. Jashar Meta, lindur në Selitë-Mal dhe me origjinë të përbashkët me viktimën, dyshohet që të jetë autori i vrasjes së tregtarit Petrit Kurti, 53 vjeç, ngjarje e ndodhur në muajin gusht të këtij vitit.