Pas raportimit nga Corriere della Sera, një tjetër media e madhe italiane, La Repubblica, hedh dyshime mbi pistën e hetimeve të autoriteteve shqiptare lidhur me vrasjen e biznesmenit Edoardo Sarchi, 44 vjeç, në fshatin Salari të Tepelenës.

Një ditë më parë, autori i dyshuar i ngjarjes, Kamber Sulçaj, 48 vjeç, u vetëdorëzua në polici.

La Repubblica thekson se vrasja dyshohet të ketë qenë e porositur, duke ngritur pyetje mbi faktin se natën e ngjarjes plumbat kanë kapur vetëm Sarchin pronar i një fabrike tullash në Tiranë dhe baba i dy fëmijëve dhe asnjë nga personat e tjerë që ishin të pranishëm në vendngjarje.

Sipas mediave italiane, dinamika e ngjarjes mbetet ende e paqartë, duke lënë hapur dyshimet mbi motivin dhe autorët e mundshëm të këtij krimi tronditës.

Artikulli i plotë i La Repubblica:

Është vetëdorëzuar në policinë e Gjirokastrës njeriu i kërkuar për vrasjen e Edoardo Sarchit, sipërmarrësit 44-vjeçar të ndërtimit që humbi jetën nga një plumb në Shqipëri, mbrëmjen e 26 shtatorit.

Bëhet fjalë për Kamber Sulçajn, një 48-vjeçar që kërkohej nga policia që prej 29 shtatorit si autor i dyshuar i vrasjes dhe që, sipas hetimeve, kishte pasur një grindje me sipërmarrësin dhe bashkëpunëtorët e tij. Aktualisht, policia po e merr në pyetje.

Një nga hipotezat për motivin ende e pakonfirmuar nga autoritetet shqiptare është ajo e një debati të ashpër midis katër personave për dritat e makinave, që ndriçonin natën në errësirën e fshatit.

Por dinamika e vrasjes mbetet ende e paqartë, sidomos duke marrë parasysh shumën e madhe të parave, armët e shumta dhe pajisjet e gjetura në shtëpinë e Sulçajt, që nxisin dyshimet për një vrasje me porosi, një skenar krejt i ndryshëm nga ai i një krimi të kryer në gjaknxehtësi.

Akuzat ndaj tij janë: “vrasje në rrethana të tjera rënduese”, “mbajtje dhe prodhim të paligjshëm armësh, eksplozivësh dhe municionesh”, si dhe “prodhim e shitje të lëndëve narkotike”.

Mbrëmjen e ngjarjes, Edoardo Sarchi, bashkë me ortakun e tij Eqerem Braçe dhe dy djemtë e këtij të fundit, ishin nisur për gjueti në zonën e Dilanit, në Tepelenë, rreth 200 kilometra nga Tirana.

Sipas hetimeve, Sulçaj, pas një debati të ashpër, ka qëlluar me armë zjarri me fishekë të plotë drejt Sarchit, ortakut të tij dhe dy djemve — por edhe drejt automjeteve të tyre.

Plumbat kanë kapur vetëm Sarchin, baba i dy fëmijëve, i martuar dhe sipërmarrës i njohur në sektorin e ndërtimit në zonën e Vareses, në Itali. Ai ishte pronar i kompanisë “Tegola Edilcentro”, themeluar tridhjetë vjet më parë nga xhaxhai i tij.

Fillimisht, policia kishte sekuestruar dy automjetet dhe kishte marrë në pyetje për gati 12 orë tre personat që ndodheshin me Sarchin atë mbrëmje, si edhe një person të katërt. Të gjithë u lanë të lirë më pas për mungesë provash.

Sulçaj ka dorëzuar pushkën e gjuetisë me tytë të gdhendur, me të cilën dyshohet se ka qëlluar ndaj Sarchit, si edhe lejen për mbajtjen e armës.

Ekspertët e seksionit për hetimin e krimeve të rënda pranë Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës kanë kryer procedurat për kërkesën e arrestit me burg, të cilin gjykata e kishte urdhëruar në mungesë.

Sulçaj, banor i fshatit Mesaplik, në Vlorë, dyshohet se ka qëlluar pikërisht me atë pushkë gjuetie me tytë të gdhendur ndaj Sarchit.