Debate të ashpra janë zhvilluar këtë të diel në Pikën Kufitare të Qafë Thanës mes autoriteteve doganore shqiptare dhe përfaqësuesve të shoqatës së pëllumbave bashkë me anëtarët e saj, pasi nuk është lejuar kalimi i një kamioni me pëllumba drejt Serbisë, ku pritet të zhvillohen gara ndërkombëtare.
Përfaqësuesit e shoqatës kanë kundërshtuar vendimin, duke kërkuar që të mos pengohen dhe të lejohen të marrin pjesë në aktivitet. Sipas tyre, kërkesa e bërë nga Fidel Ylli nuk ka bazë ligjore dhe nuk mund të përdoret për të ndaluar kalimin apo pjesëmarrjen e pëllumbave në garë.
Debatet kanë nisur që në orët e para të mëngjesit dhe situata vijon të mbetet e tensionuar. Anëtarët e shoqatës deklaruan se nuk do të tërhiqen deri në zgjidhjen e plotë të situatës nga autoritetet përgjegjëse.
