Autoritetet serbe kanë ndaluar një shtetas italian 35-vjeçar në kuadër të masave të rrepta të sigurisë të vendosura përpara ndeshjes Serbi–Shqipëri, që zhvillohet sonte në Leskovac.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, i riu, me inicialet E.E., u ndalua në pikën kufitare të Merdarës, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij Peugeot, policia zbuloi një fanellë me simbolet e UÇK-së.

Mediat serbe raportojnë se ndaj 35-vjeçarit është ngritur akuzë për nxitje të urrejtjes kombëtare dhe racore, ndërsa ai do të qëndrojë në ndalim për 48 orë, derisa të dalë përpara gjykatës.

Incidenti ndodh në një klimë të tensionuar sportive dhe politike, ku autoritetet serbe po monitorojnë nga afër kufijtë dhe zonat përreth stadiumit, për të parandaluar çdo shfaqje simbolesh shqiptare gjatë ndeshjes me Shqipërinë.