Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka lëshuar një paralajmërim publik në lidhje me një rritje të ndjeshme të rasteve të sulmeve phishing në aplikacionin WhatsApp. Qytetarët po përballen me mesazhe dhe linqe mashtruese që synojnë marrjen e kontrollit të llogarive të tyre dhe vjedhjen e të dhënave personale.
Sipas AKSK-së, sulmuesit dërgojnë mesazhe që duken si të autorizuara dhe kërkojnë kode verifikimi ose i drejtojnë përdoruesit në faqe të rreme që i ngjajnë platformave të vërteta të autorizimit. Kjo rrezikon sigurinë e të dhënave dhe informacionit privat të përdoruesve.
Për të parandaluar këto sulme, autoritetet rekomandojnë masat e mëposhtme:
Të mos klikoni në linqe të dyshimta që vijnë nëpërmjet mesazheve.
Të mos ndani asnjë kod verifikimi, edhe kur mesazhi duket zyrtar.
Të kontrolloni pajisjet e lidhura në WhatsApp (Settings → Linked Devices) për të siguruar që nuk ka pajisje të panjohura të lidhura.
Të aktivizoni verifikimin me dy faktorë (2FA) për siguri shtesë në llogaritë tuaja.
AKSK thekson rëndësinë e vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta, si dhe nënvizon se parandalimi i këtyre sulmeve kërkon angazhimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve. Për informacion dhe rekomandime të mëtejshme mbi fushata të ngjashme phishing, qytetarët ftohen të konsultojnë materialin informues të publikuar nga autoritetet përkatëse.
