Dhjetëra banorë të Komunës së Bradasheshit, në Elbasan, kanë protestuar mëngjesin e së shtunës, duke bllokuar punimet që po zhvillohen në autostradën Elbasan-Tiranë. Banorët janë të pakënaqur me vlerësimin e çmimit të tokës që do të dëmshpërblehen nga shteti. Gjatë protestës ata janë përplasur fizikisht edhe me punonjësit e komunës në fjalë, pasi, sipas tyre, kjo e fundit është treguar indiferente ndaj kërkesave të banorëve dhe nuk ka ndërhyrë për të kërkuar nga ministri të linjës ringritjen e një komisioni tjetër për të rritur çmimin e tokës që do të kalojë autostrada Elbasan-Tiranë. “Pasditen e së premtes, punonjës të rrugës, të shoqëruar nga policia, kanë prerë të gjithë pemëtarinë në truallin tim dhe nuk jam njoftuar për këtë gjë. Unë posedoj të gjitha dokumentet përkatëse dhe deri më tani nuk kam marrë asnjë shpërblim nga shteti. Por edhe nëse do e kisha marrë, nuk do ta pranoja bërjen e punimeve në tokën time, sepse trualli im është vlerësuar me një çmim qesharak 450 lekë metër katror. Kam shtatë fëmijë për të mbajtur me këtë tokë dhe shteti më heq bukën e fëmijëve”, është shprehur Aleks Toçi, pronar i tokës në Bradashesh. Ndërkaq, situata është tensionuar mjaftueshëm, pasi mes punonjësve të komunës dhe banorëve ka pasur përplasje fizike. Këta të fundit e kanë akuzuar kreun e komunës, Sabri Sallaku, për mungesë komunikimi dhe bashkëpunimi mes shtetit dhe banorëve, duke lejuar masakrimin e pronës së tyre. Sallaku, pas tensioneve, ka sqaruar se kjo çështje do të rishihet edhe një herë, duke kërkuar prej banorëve që të lejojnë realizimin e punimeve nga firma e kontraktuar. “Është kërkuar ringritje e një komisioni për rivlerësimin e tokës suaj. Gjithashtu në dëmshpërblim do të përfshihen edhe dëmet financiare në frutikulturë”, ka garantuar Sallaku. Ndërkohë, një tjetër banor thotë se i janë vendosur piketat ku do të kalojë rruga në derën e shtëpisë. S.M.


Protesta


Banorët do të vijojnë të bllokojnë punimet e rrugës deri në ngritjen e një komisioni të ri për ndryshimin e çmimit të tokës