Lushnjë


Dy persona kanë humbur jetën gjatë një aksidenti automobilistik të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Rrethin e Lushnjës, ndërsa janë plagosur rëndë edhe dy të tjerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 19:30, kur dy viktimat Tomorr Nezha dhe Valmir Daja ishin duke drejtuar secili nga një motoçikletë. Ata janë goditur nga një autoveturë tip “Audi” me targa AA 310 EL. Ndërkaq, dy të plagosurit rëndë, të cilët janë ndodhur në pjesën e pasme të motorit, janë vëllai i Tomorrit, Eugert Nezha, dhe bashkëshortja e Valmirit, Esmeralda Visha. Lajmi është bërë i ditur nga burime të Policisë së Lushnjës, të cilat sqaruan se dy drejtuesit e motoçikletave kanë qenë duke u kthyer prej autostradës për në rrugën dytësore që të çon në fshatin Karbunarë të Lushnjës, kur janë goditur nga autovetura. Sipas policisë, nga hetimet paraprake dyshohet se mjeti dhe dy motoçikletat që drejtoheshin nga të rinjtë e sipërcituar janë ndodhur përballë në momentin e përplasjes fatale. Dyshohet se autovetura ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të madhe dhe për këtë arsye drejtuesi i saj ka humbur kontrollin kur është ndodhur përballë dy motoçikletave. Pasi i ka përplasur, drejtuesi i mjetit tip “Audi” është larguar dhe e ka braktisur autoveturën rreth një kilometër larg vendit të ngjarjes, duke tentuar të arratiset. Ndërkaq, policia ka bërë të mundur identifikimin dhe po punon për kapjen e tij, pohojnë burimet e bluve. Burime nga Spitali i Lushnjës kanë pohuar se dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.


E.Hoxhaj