Policia ka publikuar pamjet nga aksioni i RENEA-s për arrestimin e Aldo Avdylajt, i shpallur në kërkim për vrasjen e Edmir Bregut. Gjatë ndërhyrjes në banesën ku fshihej 37-vjeçari, policia gjeti një armë zjarri pistoletë me plumba, e cila ishte poshtë shtratit ku Avdylaj flinte.

Aldo Avdylaj akuzohet për tre vepra penale: “Vrasja me paramendim, kryer për hakmarrje”, “pastrim parash” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Ai akuzohet se ka organizuar dhe bashkëdrejtuar grupin me Astrit Avdylajn për vrasjen e Edmir Bregut në vitin 2021 në Durrës. Vrasja u zbardh pas komunikimeve në Sky ECC të grupit të Rrumit të Shijakut dhe Astrit Avdylajt. Sipas SPAK, porositësi i vrasjes së Bregut ishte Astrit Avdylaj në shenjë hakmarrje për tentativën për të vrarë Aldon. Si ekzekutorë vepruan Alfred Doka dhe Ermir Dedja. Doka është në kërkim, ndërsa Dedja u ekzekutua më 20 maj të këtij viti në Durrës. Si ndihmës, SPAK akuzon edhe Enea Kumen, vëllain e deputetit të PS, Loer Kume.