Fotot e anëtarëve të bandës konfirmojnë jetën luksoze nga të ardhurat e drogës
“Banda e avionit” duket se e përdorte mjetin fluturues “Aeroprakt A22 S” që vitin e kaluar, pasi anëtarët e saj kanë publikuar foto në rrjetet sociale, ku shfaqen me këtë mjet. Avioni është sekuestruar më 24 gusht në Ostuni të Italisë, me 128 kilogramë kanabis, ku u prangos piloti Vilson Lamaj. Në një foto të 19 korrikut 2014, shfaqet avioni teksa fluturon mbi rivierën e bregdetit të Riminit në Itali dhe pilotohet nga personi i njohur me pseudonimin “Babushi Vlorë”. Nga ana e saj, policia ka deklaruar zyrtarisht se ky avion është përdorur vetëm një herë për trafikimin e drogës nga Shqipëria në Itali. Personi që shfaqet në foto në bordin e avionit “Aeroprakt A22 S”, i njëjti avion i sekuestruar nga policia italiane më 24 gusht, rezulton të ketë raporte miqësore me Vilson Lamajn, pilotin e prangosur, si dhe vëllain e tij, Artjon Lamaj, apo kushëririn e tyre, Kleo Lamaj. Pista që përforcon dyshimin se ky grup ka përdorur dhe më parë avionin për transportin e drogës përforcohet me jetën luksoze që anëtarët e grupit bënin në rivierën e Riminit, përfshi jetën e natës apo frekuentimin e restoranteve luksoze dhe pse në agjencinë e të ardhurave në Itali ata rezultonin të papunë. Në një foto në pishinë shfaqen vëllezërit Elizer e Xhesjan Ahmetaj, dhe piloti Vilson Lamaj, të cilët janë në restorant, duke darkuar. Ndërkaq është edhe një foto e tij me “babushin”, gjatë një vizite në Vatikan. Në rrjetet sociale shfaqet edhe fotoja e automjetit tip “Audi” A3 me targë CM 288 LM, automjet i përdorur nga vëllezërit Lamaj. Në pjesët e brendshme të këtij mjeti, agjentët e policisë italiane kishin instaluar një përgjues. Prokuroria shqiptare tha se të dy vëllezërit erdhën me traget nga Brindisi, duke marrë me vetë këtë automjet. Në Gjykatën e Riminit, pritet që të dalin në gjyq tetë të arrestuarit në Itali, ku mes tyre dhe piloti Vilson Lamaj. Ndërkaq, Prokuroria për Krime të Rënda i ka kërkuar Kontrollit të Brendshëm në Policinë e Shtetit, një raport të detajuar rreth verifikimeve të këtyre ditëve në Policinë e Vlorës, për sa i përket “bandës së avionit”. Vladimir Zanaj, shefi i personelit në këtë polici, u arrestua si pjesë e grupit që dërgonte hashash me avionë drejt Italisë, ndaj grupi hetimor ka dyshime të forta për implikimin e oficerëve të tjerë në këtë trafik. Nga ana tjetër, mësohet se grupi hetimor ka nisur verifikimin pasuror të anëtarëve të këtij rrjeti kriminal, ku deri më tani ka indicie për prona si bar-restorante dhe një hotel në bregdetin e Vlorës.