Duket se ka nisur me këmbën e gabuar takimi i planifikuar i presidentit të sapodekretuar të Francës, Fransua Hollande me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Vizita e parë e Hollande drejt Gjermanisë, ku do të takohej me Merkelin, vetëm disa orë pas zyrtarizimit të tij si President i Francës, mund të thuhet me plot gojën që ka qenë një ters i vërtetë.
Avioni me të cilin do të udhëtonte Fransua Hollande u godit nga rrufeja vetëm pak çaste pas nisjes nga toka. Pas këtij incidenti, avioni është detyruar të kthehet sërish në Paris.
Kështu, Presidenti i ri i Francës është detyruar të përdorë një avion tjetër për të udhëtuar drejt Berlinit, ndërsa siç raportojnë mediat franceze, mbërritja e tij është parashikuar për në orën 20:30 me orën lokale.
Franca dhe Gjermania janë dy superfuqitë ekonomike europiane të cilat kanë marrë vendime të rëndësishme sa i përket ecurisë së eurozonës dhe krizës që ka pllakosur në disa vend të Europës.
Marrëdhëniet e mëparshme të kancelares gjermane, Angela Merkel me ish-presidentin francez, Nikolas Sarkozi kanë qenë shumë të mira dhe janë karakterizuar gjithmonë nga fryma e bashkëpunimit saqë për të treguar këtë përputhje mendimesh dhe koordinim veprimesh mes dy liderëve të dy ekonomive më të mëdha në eurozonë, doli edhe termi ‘Merkozi’.
15 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)