Në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës (VIA), një prej investimeve strategjike për turizmin dhe ekonominë shqiptare, u realizua sot fluturimi i parë certifikues, që u prit me interesim në një event të posaçëm, ku ishte i pranishëm Kryeministri, Edi Rama, Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe punonjës të rinj, pjesë e stafit të aeroportit e të ftuar të shumtë nga Kosova dhe ku më pas mbërriti nga një tjetër fluturim Behgjet Pacolli.
Në fjalën e saj, Balluku e cilësoi ditën e sotme si një moment historik, jo vetëm për Vlorën, por edhe për Shqipërinë, duke bërë realitet një vepër të shumëpritur.
“Vitet e fundit kemi folur shumë shpesh për aviacionin, për arritjen, për strategjinë kombëtare të aviacionit civil, e cila tashmë ka arritur të materializohet. Nuk është më thjesht një strategji e hedhur në letër, nuk është më një ëndërr për t’u realizuar, por janë hapa të mirëmenduara, të cilat tashmë po i shikojmë të materializohen. Ashtu siç kemi bërë me ‘Air Albania’, ashtu siç kemi bërë me aeroportin e Kukësit, sot jemi këtu në Vlorë për të dorëzuar një vepër e cila tashmë nis të gjithë fazën e certifikimit. Sot është certifikuar pista dhe tashmë vazhdojmë me të gjithë komponentët e tjerë që do ta sjellin këtë aeroport brenda kësaj vere që të jetë operacional për të gjitha fluturimet civile ndërkombëtare”, tha Balluku.
Në këtë aeroport, i cili i përket kategorisë 4E do të aplikohen tre modele biznesi.
“Ky aeroport do të kthehet edhe në një inkubator të dijes, duke qenë se në këtë territor do të ngrihet Akademia e Aviacionit Civil, një akademi e cila do të prodhojë të gjithë profesionistët e ardhshëm. Prezenca e disa aeroporteve në territorin tonë krijon një konkurrencë të drejtë, konkurrencë të pastër, nga e cila përfiton udhëtari. E kemi parë sesi ka ndodhur në aeroportin e Rinasit kur nga më pak se 28 destinacione, sot kemi më shumë se 160 destinacione. E kemi parë kur monopoli mbahej nga pak kompani se çfarë ndodh sot kur në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, ka shumë kompani që operojnë, rreth 49, e gjitha kjo është përkthyer në benefite për udhëtarin”- tha Balluku.
Ky aeroport do të kontribuojë në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit dhe do të transformojë Jugun e Shqipërisë në një hotspot turistik, të aftë për të tërhequr investime të huaja direkte në sajë të një aeroporti të vendosur më pak se 1 orë larg atraksioneve turistike dhe urbane.


