avionKa marrë ngjyra misterioze lajmi i videos që tregon sekondat e fundit të avionit “Airbus” të “Germanwings”, i rrëzuar pak ditë më parë në Alpet franceze.


Të martën, revista “Paris Match”, kishte njoftuar për videon të gjetur në memorien e një telefoni celular të gjetur mes rrënojave të avionit në vendin e rënies. Por deri tani Prokurori franceze e ka mohuar një gjë të tillë.


Prokurori i Marsejës, Brice Robin, ka thënë që “me gjendjen aktuale të hetimeve, nuk ekzistojnë video të incidentit”. Më parë është mësuar se gazetarët e revistës franceze, por edhe ata të prestigjiozes gjermane “Bild”, i kishin parë ato imazhe.


Nga ana e saj, gazeta parisiane, është e sigurt mbi vërtetësinë e videos: “Jam i bindur që videoja është e vërtetë, kemi kontrolluar dhe hetuar. I besojmë burimet tona, që janë pranë grupit të hetuesve”.


Britmat e pasagjerëve mund të dëgjohen, duke përfshirë disa që thërrasin “O Zoti im”, në gjuhë të ndryshme. Dhe ç’është më e rëndësishmja, dëgjohen të paktën tre përplasje metalike . Kjo do të mbështesë raportet e prokurorëve, sipas të cilëve piloti kryesor Patrick, ishte i bllokuar jashtë kabinës së fluturimit nga ndihmësi i tij Andreas Lubitz.


https://www.youtube.com/watch?v=Hq8qh7SRHBU


1 prill 2015 (gazeta-Shqip.com)