Është shtyrë seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ndaj Leli Kajës, administratorit të inceneratorit të Elbasanit, i cili është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.

Në seancën e zhvilluar sot nuk u paraqit asnjë avokat për mbrojtjen e Kajës, përfshirë edhe avokatët e caktuar kryesisht nga gjykata. Për mungesën e tyre është vendosur gjobë në masën 60 mijë lekë.

Seanca e radhës është caktuar për të premten në orën 09:00. Ky konsiderohet afati i fundit për caktimin e masës së sigurisë, pasi në të kundërt Leli Kaja duhet të lirohet.

Kaja dyshohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas SPAK, ai dyshohet se ka kërkuar dhe marrë shumën prej 400 mijë lekësh nga administratori i një operatori ekonomik, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkonte ligji në funksionin e administratorit të shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.