Kujtim Cakrani, avokat i ish-presidentit Ilir Meta, ishte i ftuar në emisionin “Oponencë”, ku komentoi vendimin e GJKKO-së për kalimin për gjykim të dosjes Meta-Kryemadhi.

Sipas tij, në këtë proces gjyqësor mungojnë elementet thelbësore, duke theksuar se nuk është marrë në pyetje personi që konsiderohet si i korruptuari.

Cakrani u shpreh se hetimi ndaj ish-presidentit edhe miun e shtëpisë i kanë kontrolluar, duke theksuar se ai pasurinë e ka nga babai.

“Ne nuk kemi sot në këtë proces gjyqësor, nuk kemi korruptuesit, personi që përmendet 327 herë në 214 faqe nuk është pyetur. Zoti Meta nuk ka në karrierën e tij asnjë cent që t’i japë llogari kujt. Nuk i ka bërë dëm asnjë personi apo shtetit shqiptar. Hetimi 34-vjeçar, edhe miun e shtëpisë i kanë kontrolluar zotit Meta.

Ai ka ¼ e banesës së babit si pasuri të tij dhe këtë ne na e ka dhënë prokuroria e Posaçme në dispozicion. Unë flas me bindje të plotë. Zero korrupsion, zero një akt të nxjerrë nga zoti Meta kur ka qenë kryeministër. Gjykata, sidomos gjykatë është e kapur. 

Ajo zonja Gjoka tregoi edhe njëherë që është e kapur. Si mundet zonja të japë një vendim që është në shantazh… Janë tre opsione, ose ta pushojë, ose të kthejë aktet ose ta kalojë në gjykim. Por nëse konstaton që hetimet nuk janë të plota. Ne kërkojmë procesin e rregullt”, u shpreh ai.