Me tone të forta, avokati i presidentit të Partisë së Lirisë, Kujtim Cakrani, reagoi jasht GJKKO, duke e cilësuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri si një “togë pushkatimi”.
Ai theksoi se gjykatat kanë shkelur të drejtat e ish-presidentit Ilir Meta, i cili mbahet në paraburgim prej më shumë se një viti, në kundërshtim me afatin ligjor.
Sipas Cakranit, Ilir Meta është mbajtur në paraburgim pa bazë ligjore, duke i kaluar afati njëvjeçar, dhe se procesi i drejtësisë ndaj tij është i padrejtë.
Avokati shprehu shqetësimin se nuk është e qartë se mbi cilat standarde funksionon sistemi i drejtësisë, veçanërisht sa i përket vlerësimit të gjyqtarëve dhe vendimeve të tyre.
“Nuk ka rrezik që Meta të prishë provat, apo të ketë dëshmitar. Kjo është një situatë shumë e rëndë. Prezumimi i pafajësisë nuk ekziston më në këtë vend. Kjo është kambanë alarmi. Ne na duhen gjyqtarë që të bëjnë drejtësi në këtë vend. Se di me ça standardi i masin këta gjyqtarët që janë të ndershëm apo jo. I masin me standardin që nuk vjedhin, nuk kanë dashnore, nuk kanë…gjyqtari matet me standardin; jep apo s’jep drejtësi! Ne këtë vend nuk ekzistojnë më gjykata që japin pafajësi, por toga pushkatimi.”, tha ai.