Avokati i Popullit, Endrit Shabani, vizitoi mbrëmjen e sotme në spital punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët u lënduan gjatë protestës përpara Parlamentit.
Shabani theksoi se integriteti fizik i punonjësve të rendit në krye të detyrës është i pacenueshëm. Po ashtu Shabani tha se dhuna është e papranueshme, dhe kushdo që e ushtron apo e inkurajon atë duhet të përgjigjet para ligjit.
Po ashtu, Avokati i Popullit ka dënuar çdo akt dhune gjatë zhvillimeve të sotme, nga cilido që vjen, qoftë ndaj qytetarëve apo ndaj punonjësve të policisë.
Në përmbushje të mandatit kushtetues, Avokati i Popullit rikujton se e drejta për tubim është shtyllë e demokracisë dhe duhet të ushtrohet paqësisht.
Sipas Shabanit, çdo akt dhune dëmton vetë protestën qytetare dhe cenon të drejtën e atyre që duan të protestojnë paqësisht.
