Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar që Gjykata e Lartë të shqyrtojë me përparësi çështjen që lidhet me masën e sigurimit ndaj klientit të tij, duke argumentuar se duhet të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Plarent Ndreca deklaroi se, sipas mbrojtjes, nuk ekzistojnë më kushtet ligjore që justifikojnë vijimin e masës së arrestit me burg ndaj Veliajt.
Sipas avokatit, masa më proporcionale në këtë fazë të procesit është lirimi i kryebashkiakut, në mënyrë që ai të mund të rikthehet në ushtrimin e detyrës së tij në drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
“Gjykata e Lartë duhet të trajtojë ato që Kushtetuesja ka parashtruar. Vendimi proporcional është ai i lirimit dhe krijimi i mundësisë për të ushtruar detyrën e tij.
Nuk është vonesë e qëllimshme nga mbrojtja. Në të gjithë procesin, vetëm dy herë ka munguar. Ajo që po diskutojmë është masa e sigurimit. Ajo që ju po trajtoni është çështja e gjykimit në themel. Ne mendojmë të përqendrohemi te masa e sigurimit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe vendimi i Gjykatës së Lartë.
Kemi bërë dy kërkesa në Gjykatën e Lartë për ta përshpejtuar, për shkak të rëndësisë që ka personi, një kryetar bashkie në detyrë. Interesi është i dyfishtë: interesi i Erion Veliajt, si i çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, që kërkon lirinë kur nuk ka më asnjë shkak të mbahet në burg dhe ka të drejtën për të ushtruar detyrën e tij si kryebashkiak i Tiranës. Është e qartë se çfarë ka ndodhur në Bashkinë e Tiranës dhe dëmet që i janë shkaktuar qytetit për shkak të kësaj mase”, tha Ndreca.
