Dy jetimë nga Vlora kanë denoncuar një rast të rëndë, ku sipas tyre, një dëmshpërblim i fituar me vendim gjykate pas humbjes së nënës së tyre nuk u është dorëzuar, ndërsa situata ka degraduar deri në kërcënime serioze me jetë.

Sipas denoncimit, çështja gjyqësore ka nisur pas vdekjes së nënës së tyre dhe është ndjekur kundër OSHEE-së. Pasi kanë mbushur moshën 18 vjeç, ata kanë hapur procesin gjyqësor dhe, sipas tyre, gjykata e Apelit në Vlorë në vitin 2017 ka vendosur një dëmshpërblim në vlerën prej rreth 130 milionë lekësh të vjetra.

Denoncuesit pretendojnë se çështjen e ka ndjekur avokati Delo Meçani, i cili pas përfundimit të procesit dhe vendimit të formës së prerë, ka tërhequr shumën e parave. Ata shprehen se për vite me radhë janë mbajtur me premtime se do të marrin paratë e tyre, por deri më sot nuk kanë përfituar asgjë.

Ata tregojnë  se ekziston edhe një dokument i hartuar në fillim të procesit gjyqësor, ku pretendohet se dëmshpërblimi i tyre do të ishte vetëm 10 milionë lekë të vjetra, gjë që ata e kundërshtojnë.

Në një takim të zhvilluar me avokatin në Tiranë, sipas denoncuesve, ai ka pranuar se paratë nuk u janë dhënë ende, duke dhënë deklarata të ndryshme, ku herë ka thënë se do t’i dorëzojë dhe herë se nuk disponon mjete financiare.

Më pas, ai i ka ftuar për takim në Vlorë, por  që nuk u ka dalë në takim dhe nuk ka përmbushur premtimet e dhëna.

Gazetarët e Fiks Fare  kanë kontaktuar gjithashtu avokatin, i cili ka refuzuar të japë shpjegime të detajuara mbi shumën e përfituar, mënyrën e administrimit të parave dhe dokumentacionin që lidhet me çështjen. Ai ka deklaruar se nuk do të japë përgjigje dhe ka pretenduar se pala tjetër ka përfituar tashmë, duke i ftuar ata ta zgjidhin çështjen në rrugë ligjore.

Në një komunikim tjetër, kur është pyetur për dokumentin që pretendohet se përcakton ndarjen e shumës, avokati ka deklaruar se disponon dosje me dokumente, por nuk i ka vënë në dispozicion.

Situata është përshkallëzuar më tej kur djali i avokatit, Aurel Meçani, ka telefonuar një prej denoncuesve dhe ka përdorur gjuhë fyese dhe kërcënime të rënda me jetë. Në telefonatë janë përdorur fjalë kërcënuese dhe ofenduese, duke përfshirë deklarata të rënda për dhunë fizike “ do të vras si qeni në mes të rrugës” shprehet djali avokatit.

Më pas, po Aurel Meçani ka kontaktuar edhe gazetaren e Fiksit, duke kërkuar falje për situatën dhe duke deklaruar se do të sillte babain e tij së bashku me dokumentet përkatëse për të sqaruar çështjen. Ai gjithashtu ka pranuar se ekziston një detyrim ndaj dy të rinjve.

Megjithatë, avokati nuk është paraqitur për të dhënë sqarimet e premtuara dhe çështja ka mbetur e pazgjidhur.

Denoncuesit kërkojnë ndërhyrje institucionale dhe sqarim të plotë mbi fatin e dëmshpërblimit të fituar me vendim gjykate, ndërsa rasti ka ngjallur reagime për shkak të pretendimeve për keqadministrim të parave dhe kërcënime serioze që kanë pasuar denoncimin.

Top Channelp