Një avokat për të drejtat e njeriut ka hedhur alarmin për një “krizë integrimi” në Britani, pasi statistikat shokuese zbuluan se çdo ditë pesë shqiptarë përfundojnë në burg në Mbretërinë e Bashkuar.
Të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë treguan se 1,865 persona nga Shqipëria u dërguan pas hekurave gjatë vitit që përfundoi në shtatorin e kaluar.
Duke folur për këto të dhëna në “People’s Channel”, David Haigh tha: “Kjo është diçka shumë shqetësuese, natyrisht. Si avokat për të drejtat e njeriut, dua që burgosjet dhe deportimet të kryhen në mënyrë të drejtë dhe të rregullt. Por kjo është alarmante. Kjo është dhe gjithashtu një shembull i mirë i një krize integrimi.”
Haigh shtoi: “Nëse ky numër është i burgosur, 12 për qind e burgjeve tona janë të huaj, dhe asnjë nga procedurat e ndryshme që Shabana Mahmood ka vendosur nuk funksionon.”
Që nga viti 2022, shqiptarët janë përgjegjës për kryerjen e kalimeve të paligjshme nga veriu i Francës drejt Dover-it, me shumë prej tyre që kërkojnë azil pasi mbërrijnë në Britani. Nën ish-kryeministrin Rishi Sunak, u vendosën disa marrëveshje me Shqipërinë për të përshpejtuar deportimet e qytetarëve shqiptarë.
Dy vite më vonë, sipas Migration Observatory, kalimet e paligjshme u ulën në nivelet para vitit 2019. Megjithatë, shqiptarët përbëjnë rreth 9 për qind të të huajve kriminalë pas hekurave në Britani, niveli më i lartë për individët e huaj.
Marrëveshja për transferimin e të burgosurve, e vendosur në vitin 2023, ishte një nga marrëveshjet për të zgjidhur mbipopullimin dhe kostot e burgjeve britanike. Sipas rregullit, çdo shqiptar i dënuar me mbi katër vjet burg do të deportohet në vendin e tij për të vuajtur dënimin. Megjithatë, Haigh theksoi se marrëveshja “nuk ia vlen as sa letra ku është shkruar”, pasi procesi kërkon miratim dhe shpesh shtetet e huaja kërkojnë pagesa për të pranuar të dënuarit.
Ai shtoi se, edhe kur ekzistojnë marrëveshje, qytetarët e huaj gjejnë arsye për të mos u deportuar dhe çdo rast duhet shqyrtuar individualisht, duke krijuar probleme të përsëritura. Haigh kërkoi një rishikim të plotë të politikave dhe procedurave, duke paralajmëruar se, në të kundërt, Britania mund të duhet të largohet nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Një zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë deklaroi: “Ky qeveri ka rritur deportimet e të huajve të dënuar, me mbi 8,700 persona të larguar që nga korriku 2024, një rritje prej 32 për qind krahasuar me 19 muajt e mëparshëm. Për më tepër, po ndryshojmë ligjin që të burgosurit e huaj të deportohen më herët se kurrë më parë.”
