Letra
Totozani, Policisë së Shtetit: Abuzimet të hiqen nga sistemi
Vendosja e gjobave në mungesë nga ana e policisë është kthyer në një shqetësim për drejtuesit e automjeteve në Tiranë e kudo. Si pasojë e ankesave të shumta nga ana e qytetarëve, Avokati i Popullit, Igli Totozani, i ka dërguar kreut të Policisë së Shtetit, Artan Didi, një letër rekomandim. Në të kërkohet marrja e masave, për lajmërimin e të gjithë qytetarëve që janë gjobitur nga Policia Rrugore ose në të kundërt gjoba të hiqet nga sistemi. Sipas Totozanit, akte të tilla janë abuzuese, duke kërkuar njëkohësisht revokimin e gjobave për të cilat nuk është bërë njoftimi, si dhe fshirjen e tyre nga programi E-gjoba. Letra thuhet se është dërguar përpara gjashtë muajve. Avokati i Popullit shprehet se qytetarë të shumtë gjatë kontrollit me adresën online të policisë, janë përballur me disa gjoba që kapin vlera të ndryshme monetare. Ata nuk kanë qenë në dijeni për ndëshkimin nga Policia Rrugore dhe në disa raste, qytetarët mohojnë që të kenë kryer shkelje për të cilat janë vënë gjobat. Gjithashtu Totozani thotë se ka raste që drejtuesit e mjeteve rezultojnë sikur nuk kanë paguar gjobat, ndonëse e kanë shlyer në kohë atë. “Vendosja e gjobave në mungesë është një e drejtë e Policisë Rrugore, e parashikuar në nenin 199 të Kodit Rrugor, dispozitë në të cilën është parashikuar dhe detyrimi për të bërë njoftimin e kundërvajtësit për shkeljen. Edhe pse kjo dispozitë njihet, sërish Policia Rrugore e justifikon me mungesën e infrastrukturës siç është regjistri i adresave. Por mungesa e këtij regjistri nuk e legjitimon moskryerjen e njoftimit ndërsa në pikën 5 të nenit 199 parashikohen dhe pasoja juridike. Nëse njoftimi nuk kryhet brenda 30 ditëve nga marrja e gjobës, atëherë kundërvajtësi nuk është më i detyruar ta paguajë gjobën”, – thuhet në letrën që Avokati i Popullit i ka dërguar kreut të Policisë së Shtetit. Në të njëjtën kohë, Igli Totozani ka kërkuar dhe bashkëpunim më të ngushtë me Postën Shqiptare, ku të shikohet mundësia e ngritjes së një programi kompjuterik të përbashkët, i cili do të lehtësonte punën e Policisë Rrugore. S.Muça