Këtë të enjte në Uashington mbahet takimi i parë i Bordit të Paqes, struktura e re ndërkombëtare e udhëhequr nga presidenti amerikan Donald Trump për të mbikëqyrur Gazën e pasluftës dhe jo vetëm.
Mbi 45 vende pritet të marrin pjesë në takim, ku Bashkimi Europian ka dërguar një komisioner në rol vëzhgues. I pranishëm do të jetë edhe kryeministri Edi Rama, i cili një ditë më parë u nis drejt Washingtonit, në përgjigje të ftesës së Donald Trump për të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe për fillimin e aktivitetit të këtij Bordi, ku Shqipëria ka privilegjin të jetë shtet themelues.
Bordi ka në rend dite çështje të rëndësishme si çarmatosja e Hamasit, madhësia e fondit për rindërtimin e zonës dhe mënyra e shpërndarjes së ndihmës humanitare për popullsinë e prekur nga lufta.
Donald Trump ka thënë se vendet pjesëmarrëse kanë premtuar 5 miliardë dollarë për fondin e rindërtimit të enklavës, edhe pse shuma e nevojshme është shumë herë më e madhe. Takimi mbahet në objektin e ri të rinjohur si ”Donald J. Trump U.S. Institute of Peace”, që Trump e ka emëruar, dhe pritet të shërbejë si platformë për diskutuese mbi një plan më të gjerë paqeje.
Veç vendeve që do të kontribuojnë financiarisht, të tjera do të dërgojnë trupa në enklavë si pjesë e forcës së stabilizimit të Gazës, që do të merret me trajnimet policore, mbarëvajtjen e rripit dhe çarmatosjen e grupit militant. Në takimin e parë të Bordit në Uashington nuk marrin pjesë vende si Franca, Britania e Madhe, Rusia, Kina apo edhe Vatikani që refuzoi ftesën. Sfida e parë e kësaj strukture të re ndërkombëtare do të jetë rindërtimi i Gazës, në mes të një armëpushimi të brishtë që ka pasur shkelje të vazhdueshme.
