Vrasja e 38-vjeçarit
Gjatë masës së sigurisë, prokurorja shpjegoi sesi policia kishte zbuluar Xhensil Lipon
Gëzim Ashimi
Adoleshenti, i cili është arrestuar nga Policia e Pogradecit për vrasjen e 38-vjeçarit, baba i dy fëmijëve, është denoncuar nga i ati për krimin e kryer. Ka qenë babai i Xhensil Lipos ai që ka kontaktuar shërbimet e policisë dhe u ka treguar se djali i tyre është vrasësi i Erjon Ibit. Këto fakte janë publikuar gjatë masës së sigurisë për Xhensil Lipon në Gjykatën e Pogradecit, e cila e ka lënë 19-vjeçarin në “burg pa afat”, duke hedhur poshtë versionin e dhënën nga policia për zbulimin e vrasjes.
Babai i vrasësit
Detar Lipo, babai i 19-vjeçarit, kur mësoi për vrasjen nuk ngurroi shumë që të sinjalizojë në Komisariatin e Pogradecit. Pasi ka mësuar nga goja e djalit të vet për kryerjen e krimit, babai ka zgjedhur për të denoncuar në polici, ku mësohet se ai është shprehur se nuk mund të fshihte një vrasje, pavarësisht se atë e kishte kryer i biri, duke menduar se kjo do ta lehtësonte në dënim. Kjo rrethanë në identifikimin e 19-vjeçarit Xhensil Lipo, si autori i vrasjes së bashkëfshatarit të tij Erjon Ibi, u bë e ditur nga prokuroria. Prokurorja e çështjes, në këtë seancë, deklaroi se në datën 19 dhjetor, rreth mesditës, në Komisariatin e Pogradecit është paraqitur Detar Lipo, i cili në prani edhe të policisë gjyqësore ka pohuar se ka qenë djali i tij Xhensil Lipo, ai që ka kryer një vrasje në datën 17 dhjetor në fshatin Çërravë. Më tej, babai i autorit të krimit ka shtuar në dëshminë e tij se trupi i viktimës ishte i hedhur në një kanal te vendi i quajtur si “Kovaçana”. Me këtë deklarim, policia nuk e ka pasur shumë të vështirë të gjejë trupin e viktimës dhe ta identifikojë atë, si dhe të kryejë arrestimin e 19-vjeçarit të denoncuar nga i ati për këtë vrasje.
Masa e sigurisë
Megjithatë këto fakte nuk ia kanë lehtësuar situatën 19-vjeçarit, pavarësisht se mbrojtja ka kërkuar një masë më të butë ndaj tij. Në përfundim të seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, Lipo u la në “burg pa afat”. Sipas prokurores së çështjes, krimi i ndodhur pak ditë më parë në fshatin Çërravë është kryer me goditje me gurë të viktimës. Viktima dhe autori i krimit kanë pasur mospëlqim midis tyre dhe konflikte banale të tipit, pse më shikon, apo zënka në përballjen e tyre. Prokuroria mendon se kjo e ka shtyrë 19-vjeçarin që të arrijë deri në vrasjen e bashkëfshatarit të tij. Xhensil Lipo, në prani të avokates së tij, ka pranuar vrasjen e bashkëfshatarit të vet, duke treguar edhe rrethanat e krimit. Në gjykatë 19-vjeçari i akuzuar për vrasje me dashje ka mbajtur qëndrim të heshtur, duke i lënë fjalën vetëm përfaqësuesit të tij mbrojtës. Gjatë zhvillimit të kësaj seance, avokatja mbrojtëse, e caktuar kryesisht, kërkoi vlerësimin si të paligjshëm të ndalimit të Xhensil Lipos dhe caktimin e një mase sigurimi më të lehtë se ajo e parashtruar nga përfaqësuesja e akuzës, duke u mbështetur në pretendimin se i dyshuari për vrasje ka bashkëpunuar me dëshminë e tij dhe është dorëzuar vetë në polici.
Pretendimi
Familja e viktimës: E vranë për grabitje
Familja e 38-vjeçarit nga Pogradeci dyshon se 19-vjeçari i arrestuar nuk ka qenë i vetëm në momentin e vrasjes dhe se ai ka gënjyer për motivin e krimit. Gjithçka mendohet se është kryer për grabitje, pasi viktima ka pasur 200 mijë lekë me vete, kur është vrarë. Familjarët e tij e mohojnë faktin se djali i tyre është vrarë për qëllime banale. “Erjoni ka pasur me vete 200 mijë lekë natën që nuk është kthyer në shtëpi. Ne nuk e besojmë variantin e dhënë nga policia se ngjarja ka ndodhur për shkaqe banale. Ne besojmë se 19-vjeçari e ka parë se kishte para me vete dhe e ka vrarë për ta grabitur. Madje, ai nuk ka qenë i vetëm, por policia duhet të zbulojë bashkëpunëtorët e tij”, janë shprehur familjarët e viktimës, duke e denoncuar këtë fakt, që sipas tyre ia kanë pretenduar edhe prokurorisë, e cila drejton hetimet për këtë çështje. Familja e Erjon Ibit i kërkon drejtësisë të zbardhë të vërtetën, pasi, sipas tyre, 19-vjeçari Xhensil Lipo s’mund ta masakronte i vetëm Erjonin.