Fier
Gëzim Sulo pranon krimin para policisë, duke përjashtuar djemtë nga autorësia
“E vrava në gjaknxehtësi e sipër, pasi nuk e përballova dot sharjen e Naimit ndaj vajzës sime”
“E vrava pasi më ofendoi rëndë, duke më sharë nga vajza. Në këtë moment nuk durova dot më dhe shkova e mora armën me të cilën e qëllova në gjaknxehtësi e sipër. Nuk kisha plan ta vrisja, por nuk arrita ta kapërdija sharjen ndaj vajzës sime të vetme. Ishim konfliktuar edhe më parë me njëri-tjetrin, por nuk kishim shkëmbyer ofendime të tilla”. Kështu ka deklaruar para oficerëve të policisë gjyqësore 49-vjeçari Gëzim Sulo, fqinji i biznesmenit të hidrokarbureve Naim Suli, i cili u ekzekutua në derën e shtëpisë së tij mbrëmjen e së shtunës, duke pranuar autorësinë e krimit e duke treguar versionin e tij të ngjarjes. Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga burime konfidenciale të policisë, të cilat sqaruan se janë duke hetuar lidhur me vërtetësinë e deklarimeve të të prangosurit Gëzim Sulo, si dhe të dy djemve të tij, Ervisin 22-vjeçar dhe Endrin 20 vjeç, pasi dyshohet se babai po merr përsipër krimin, me qëllim që të shpëtojë dy bijtë e tij.
Dëshmia në polici
Gjatë deklarimeve të tij, 49-vjeçari Gëzim Sulo ka përjashtuar të bijtë nga përgjegjësia penale, duke ia atribuuar gjithçka vetes së tij. Sipas burimeve të sipërcituara, Gëzimi e ka pranuar autorësinë dhe ka dhënë versionin e tij të ngjarjes, duke treguar edhe detaje për motivin e ngjarjes. Gazeta ka siguruar të dhëna mbi dëshminë e të arrestuarit, i cili ka pretenduar se gjithçka ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. “Dihet që ne kemi pasur konflikte të mëparshme me Naimin, pasi ai kërkonte që ne të zhvendosnim biznesin tonë. Madje, para një viti jemi konfliktuar duke u goditur me njëri-tjetrin. Por, pas rreth dy muajsh nga ngjarja e atëhershme, vetë Naimi së bashku me familjarët e tij kërkuan pajtim, duke na ardhur në shtëpi dhe ne ramë dakord. Madje, për disa kohë e lëshuam me qira pikën e servisit. Por para pak kohësh u rikthyem të punonim sërish vetë, pasi kishim nevojë për më shumë të ardhura. Ai na ankohej gjithmonë se bezdisej nga fakti se ne punonim aty dhe kërkonte që të largoheshim. Por ne jetojmë me atë biznes. Mbrëmjen e së shtunës, ai u kthye në shtëpi dhe unë me djemtë po punonim kur ai sërish u kap me fjalë me ne. Filloi të ofendonte dhe më tha fjalë të rënda edhe për vajzën. Në këtë moment nuk durova dot më dhe mora automatikun dhe qëllova me të e më pas u largova së bashku me djemtë. Djemtë nuk janë të përzierë në vrasje. Gjithçka e bëra unë në gjaknxehtësi e sipër”. Kështu mësohet të jetë shprehur para hetuesve 49-vjeçari Gëzim Sulo. Më tej, ai ka shtuar se armën e ka hedhur në lumin Shkumbin. Që prej orëve të para të mëngjesit të djeshëm, policia dhe palombarë janë duke kërkuar në ujërat e lumit Shkumbin për të gjetur armën “Kallashnikov” me të cilën u krye vrasja.
Dyshimet për autorësinë
Edhe pas dëshmisë së dhënë nga 49-vjeçari Gëzim Sulo i cili ka pranuar autorësinë e vrasjes së biznesmenit fierak Naim Suli, duke shfajësuar djemtë e tij, Policia dhe Prokuroria e Fierit janë duke i hetuar të tre të ndaluarit. Kjo, pasi nuk është konkluduar ende në vërtetësinë e deklarimeve të Gëzimit dhe djemve të tij. Pritet që policia të kryejë rindërtimin e dinamikës së ngjarjes, ku do të ballafaqohen dëshmitë e 49-vjeçarit Sulo, Ervisit dhe Endrin 20-vjeçar. Burimet pohojnë se gjetja e armës do të ndihmonte në zbulimin e autorit të vërtetë të krimit, nëse në të do të ndodheshin gjurmët papilare të atij që ka qëlluar mbi Sulin. Menjëherë pas vrasjes së biznesmenit Suli, policia u vu në ndjekje të autorëve të dyshuar, duke krehur gjithë zonën. Brenda 30 orësh, blutë kanë arritur të identifikojnë vendndodhjen e tyre dhe i kanë kapur në rrethinat e qytetit, të ngujuar për shkak të rrethimit të bluve. Ndërkaq, sot pritet që tre të ndaluarve t’u komunikohet edhe masa e sigurisë.
Konflikti i paralajmëruar
Në konfliktin e një viti më parë, viktima Naim Suli dhe i prangosuri Gëzim Sulo e djemtë e tij janë përleshur me njëri-tjetrin, duke u lënduar të dyja palët. Nga burime të akuzës mësohet se mjekoligjorët i kanë klasifikuar dëmtimet e të dyja palëve si plagosje të lehtë. Por, pas dy muajsh, të dy denoncuesit, si familja Sulo, ashtu edhe viktima Naim Suli kanë tërhequr kallëzimin e tyre, duke deklaruar se i kanë zgjidhur mosmarrëveshjet me njëri-tjetrin. Nga hetimet e atëhershme ka rezultuar se dy fqinjët ishin grindur për shkak se biznesmeni Naim Suli pretendonte se shqetësohej nga zhurma që shkaktohej gjatë punës në servisin e familjes Sulo. Ndërsa këta të fundit pretendonin se fqinji i tyre kërkonte që ata të largoheshin, me qëllim që të përfitonte tokën aty pranë. Megjithatë, edhe më parë janë vënë re manovra të tilla, ku tërhiqen denoncimet, siç ka qenë rasti i masakrës së Pukës dhe më pas ato kanë sjellë ngjarje të rënda kriminale, me viktima në njerëz.