Policia dyshon se krimi mund të ketë ndodhur në mëngjes, por është tentuar fshehja e tij


Sulejman Dida


Dhuna në familje ka sjellë një tjetër krim të rëndë në familje, pasi babai ka vrarë me pistoletë të birin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrethin e Hasit, ndërkohë që ka dyshime se autori ka dashur ta fshehë krimin si vdekje natyrale. Gjithçka mendohet se ka ndodhur, pasi djali ishte i dhunshëm ndaj të atit, por hetimet e mëtejshme dhe dëshmia e të arrestuarit do të sjellin konkluzionet e kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila vjen rreth dy javë pas një krimi tjetër brenda familjes në Qarkun e Kukësit, ku djali vrau babanë. Krime të tjera të ngjashme që kanë ndodhur kohët e fundit në Verilindje tregojnë krizën e pashpresë të familjes, e cila duket se është futur në situatë depresive sociale.


Vrasja në familje


Ngjarja e rëndë në familje ka ndodhur dje në orët e mbrëmjes në rrethin e Hasit, pikërisht në fshatin Kosturr të Komunës Golaj në familjen Nabolli, ku rezulton se viktima është vetëm 21 vjeç. Burime nga vendi i ngjarjes, si dhe pohimet e policisë tregojnë se Binak Nabolli, 71 vjeç, ka vrarë me pistoletë djalin e tij, Ylber Nabolli, 21 vjeç gjatë një sherri të dhunshëm mes tyre brenda banesës. Burime të policisë së Kukësit thotë se sapo ka ndodhur vrasja, disa të afërm dhe komshinj të familjes kanë njoftuar Komisariatin e Krumës, nga ku më pas janë nisur togat e gatshme të efektivëve blu. Pas mbërritjes në vendngjarje, grupi i policisë ka bërë të mundur ndalimin e 71-vjeçarit si autor i këtij krimi të rëndë. Menjëherë pas arrestimit të babait vrasës, policia ka bërë kontrollin e banesës së tij, ku ka gjetur dhe sekuestruar pistoletën, me të cilën ka qëlluar mbi të birin 21-vjeçar, si dhe disa gëzhoja. 71-vjeçari Binak Nabolli është shoqëruar në Komisariatin e Krumës, ku është pyetur nga ekspertët e policisë dhe një prokuror, që ka udhëtuar nga Kukësi. Ai ka pranuar autorësinë e krimit, por sipas policisë, nuk ka dhënë shpjegime për shkaqet që e kanë çuar në këtë vendim fatal kundër të birit. Burme nga policia e Kukësit e cilësojnë si vrasje me motive të dobëta.


Fshehje krimi?


Ndërkaq, nga një bisedë me prefektin e Kukësit, Elez Maçi, mësohet se ngjarja mund të ketë ndodhur në mëngjes herët dhe se në bashkëpunim, familjarët kanë bërë përpjekje për ta paraqitur si vdekje natyrale. “Kam dëgjuar se në Kosturr kishte ndodhur një vdekje në mëngjes dhe kur pyeta, më thanë se ishte një djalë 21-vjeçar, që kishte vdekur nga zemra”, tregon Maçi, duke shtuar se dinte detaje të tjera. Sidoqoftë, ai shton se kjo mbetet për t’u zbardhur gjatë hetimit. Këtë e kanë konfirmuar edhe burime nga grupi hetimor, të cilat thanë se janë duke hetuar mbi këto informacione, por pritet që informacione më të sakta të jepen pas ekspertizës mjekoligjore për viktimën. Krimi i djeshëm në rrethin e Hasit është i dyti brenda dy javësh që ndodh në Qarkun e Kukësit. Vetëm dy javë më parë, në fshatin Bradhoc të Kukësit, ishte i biri që vrau të atin në moshën 74-vjeçare.