Më 17 shkurt 2026, Policia arrestoi 8 persona që shfrytëzonin të miturit për të lypur. Në prangat e uniformave blu ranë 4 burra dhe 4 gra.
Eles Brahimaj, Rakip Sinani, Mikel Rama dhe Miklovan Gogajt iu dha masa arrest me burg, ndërkohë që 4 zonja, që shoqëronin fëmijët në rrugë u lanë me arrest shtëpie. Të gjithë këta persona, kishin kthyer në praktikë punën në zonën e Ish-Bllokut në Tiranë. Një aktivitet që i ekspozonte vogëlushët ndaj rreziqeve të ndryshme në orët e vona të natës.
Nuk është tamam-tamam, ai fenomeni i lypjes që ne njohim. Ai fenomeni i lypjes ku kërkohet me dorën zgjatur. Është një rast specifik. Pikë së pari, me këtë aksion me policinë, morëm info shqetësuese nga qytetarët, në lidhje me fëmijët që shikonin në rrugë në orët e vona të natës në rrugën kryesore të ish-bllokut.
Ku ndodhen disa ambiente, lokale, pube nate. Shqetësimet ishin edhe me fëmijët që nuk duhet të ishin aty, por edhe për faktin se fëmijët i kishin shqetësuar. Kishte një aksion që kishte në qendër fëmijët, në dy anët e medaljes’ u shpreh Alma Bramo, prokurore.
Altin Hazizaj, drejtues i ‘Alo 116’, linjës kombëtare të mbrojtjes së fëmijëve, jep disa detaje të rënda se si vihet në zbatim kjo skemë. Prindërit apo shfrytëzues të tjerë që mund të mos jenë familjarë, u caktojnë vogëlushëve kuota fikse mbi paratë që duhet të fitojnë. Pra, ata përballeshin edhe me dhunë psikologjike.
“Pjesa më e madhe e fëmijëve në situatë rruge kanë disa kushte se kur duhet të kthehen në shtëpi. Nëse më përpara ka qenë 200 lekë, tani është te 500 lekë të reja. Një fëmijë që nuk e plotëson, nuk kthehet në shtëpi, mblidhen në zona si Blloku, bulevardi ku ka lëvizje dhe para dhe flenë ose qëndrojnë përjashta. Flenë në grup, ose kanë vende ku fshihen”, Altin Hazizaj, Drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.
Prokurorja që drejtoi hetimet ndaj shfrytëzuesve të fëmijëve, jep disa detaje që duken të pakonceptueshme për një baba. Ata, nxirrnin në rrugë familjen në orët e natës, dhe vetë largoheshin nga aty.
“Ishte formë tjetër që kishte të bënte me prindërit. Prindërit e fëmijëve, shfrytëzonin oraret e vona të natës, në fundjavë kryesisht, dhe merrnin fëmijët vajza dhe djem, vinin në zonën e Bllokut dhe nga ora 11 të natës dhe deri në 5 të mëngjesit, qëndronin gjatë gjithë rrugës me trëndafila në duar. Vetëm nënat, sepse baballarët ktheheshin në banesë, ofronin trëndafila për shitje”, u shpreh Alma Bramo, prokurore.
Praktikisht, fëmijët jo vetëm që shfrytëzoheshin nga prindërit e tyre për të lypur, por edhe nga personat e rritur për të arritur qëllimet e tyre të ngacmimeve. Në fakt, për frekuentuesit e jetës së natës në Bllok, apo edhe në zona të tjera të njohura në Tiranë, diçka e tillë është një realitet i prekshëm i çdo jave.
“Nga pyetjet që u kam bërë fëmijëve, dhe e kam bërë vetë, përveç se ofronin trëndafila, ata përdoreshin dhe shfrytëzoheshin si ndërmjetës për të kryer ato njohjet që bëhen sot duke marrë Instagramet, apo numrat e telefonit e vajzave dhe djemve. Kundrejt pagesave”, u shpreh Alma Bramo, prokurore.
Ajo që është më shqetësuese, sipas dëshmisë së prokurores është edhe fakti që personat e pyetur nuk kanë qenë të vetëdijshëm në lidhje me shkeljet ligjore që kanë kryer. Ata, e konsiderojnë si diçka shumë të zakonshme.
“Fëmijët e konsideronin si punë normale. Vlera e trëndafilit që e dimë se blihet kaq dhe shitet pak më tepër, trëndafili ishte forma e kërkimit të të hollave. Gjatë një periudhe 6-mujore u bë çdo fundjavë. Problemi? Fëmijët detyroheshin të punonin”, u shpreh Alma Bramo, prokurore.
“Ata nuk ishin të vetëdijshëm për faktin se kjo veprimtari ishte e dënueshme, nuk e pretendoja të dinin, por edhe e papërshtatshme. Konsiderohej si mënyrë që e gjithë familja bashkë po sigurojnë të ardhura”, u shpreh Alma Bramo, prokurore.
Shumica e fëmijëve në gjendje rruge kishin tendencë që të linin shkollën dhe të ishin pjesë e sistemit të arsimit… dhe këtu nis problemi i vërtetë!
