Ngjarja tragjike e ndodhur në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje me armë zjarri nga një pjesëmarrës në procesin gjyqësor, ka tronditur sistemin e drejtësisë dhe opinionin publik në vend.

Përveç viktimës, në këtë akt të rëndë mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, babë e bir, të cilët ishin palë në çështjen civile që po shqyrtohej në atë moment.

Bëhet me dije se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe kanë dalë nga spitali gjatë ditës së sotme. Sipas burimeve mjekësore, djali është qëlluar me një plumb në krah, i cili ka hyrë dhe dalë pa dëmtuar organe jetësore, ndërsa i ati ka pësuar djegie sipërfaqësore, por nuk është qëlluar drejtpërdrejt.

Sipas Policisë së Tiranës, ngjarja ndodhi pak minuta pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Kalaja për një çështje që kishte në thelb kundërshtimin e veprimeve përmbarimore. Autori, 30-vjeçari Elvis Shkambi, reagoi menjëherë pas vendimit duke nxjerrë armën dhe qëlluar për vdekje gjyqtarin, e më pas plagosi edhe palën tjetër në konflikt.

Pas aktit të rëndë, Shkambi u dorëzua pranë një patrulle policie jashtë ambjenteve të gjykatës. Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për të kuptuar se si u thye siguria në një institucion të tillë, duke lejuar futjen e një personi të armatosur në sallën e gj