Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin  ndodhur në Dukagjin të Shkodrës, ku humbën jetën babë e bir Prelë e Lek Gjoni dhe u plagos Lazar Bashi. Mësohet se Bashi ka qenë personi që kërkoi ndihmë, pasi i mbijetoi breshërisë së plumbave që u lëshuar drejt makinës ku ai ishte pasagjer.

Sipas dëshmisë së tij, Bashi ndodhej rastësisht në pjesën e pasme të automjetit bashkë me Prelë dhe Lekë Gjonin. Ata po ktheheshin nga banesa e tyre e vjetër në Dukagjin, ku mbanin edhe disa koshere bletësh, në drejtim të Shkodrës. Autorët u zunë në pritë në rrugën e Xhanit dhe lëshuan drejt tyre mbi 50 plumba.  Autorët dyshohet se përdorën dy armë, një kallashnikov dhe një MP5, duke qëlluar më shumë se 50 plumba.

Në momentin e sulmit, Bashi është shtrirë në automjet dhe ka marrë një plumb në shpatull. Ai ka qëndruar i fshehur për disa minuta, derisa autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Automjeti kishte humbur kontrollin dhe ishte kthyer në njërën anë. Pasi është siguruar se autorët nuk ndodheshin më aty, Bashi ka arritur të dalë nga automjeti, duke marrë me vete edhe telefonin celular. Por zona ku ndodhi atentati nuk kishte sinjal telefonik. Për këtë arsye, i plagosuri ka ecur për rreth 40 minuta në terren të vështirë malor, duke përshkuar afro dy kilometra në këmbë.

Sapo ka mbërritur në një lokal pranë kryqëzimit ku rruga e Pultit lidhet me atë të Shoshit, Bashi ka telefonuar një të afërm. Fjalët e para që ka thënë kanë qenë: “Na thavi, krahin”.

Më pas, ai ka treguar se si ndodhej në automjet me Prelë dhe Lekë Gjonin dhe se dy burrat kishin mbetur të vrarë në vend. Bashi ka pastruar gjakun që i rridhte nga plagosja në një çezmë pranë lokalit dhe më pas ka pritur transportin drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës.

Për shkak të humbjes së konsiderueshme të gjakut, ai është dërguar më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar. Aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Shkodrës dhe Prokuroria vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve të vrasjes së dyfishtë dhe plagosjes. Deri tani nuk ka një person të identifikuar si autor i ngjarjes. Efektivët kanë shoqëruar disa persona për t’i marrë në pyetje, por nuk ka ende të dhëna konkrete për përgjegjësinë e tyre.

Mes pistave kryesore të hetimit janë një divorc i Lekë Gjonit rreth tre muaj më parë dhe një konflikt i ndodhur disa vite më parë. Megjithatë, familjarët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për ndonjë konflikt të kohëve të fundit.

Lekë Gjoni punonte me një kamion, duke transportuar materiale ndërtimi dhe një eskavator në zonën e Dukagjinit. Sipas informacioneve të bëra publike, ai nuk njihej si person problematik dhe lëvizte lirshëm në zonë.