Astrit Isufi, i cili dyshohet se është autor i vrasjes së dy vëllezërve të bashkëshortes së tij në fshatin Gollubovc të Malishevës, rezulton të ketë një të kaluar të ngarkuar me akte dhune ndaj gruas së tij. Sipas dosjes gjyqësore të siguruar nga mediat kosovare, ndaj Isufit ishte ngritur aktakuzë në prill të vitit 2025 për dhunë në familje dhe kanosje, ndërsa Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte dënuar më 7 prill 2025 për rrahjen dhe kërcënimin e bashkëshortes së tij.
E dhunonte gruan në ditën e Bajramit
Në vendimin gjyqësor përshkruhet se më 30 mars 2025, rreth orës 06:00 të mëngjesit, në ditën e festës së Bajramit, Isufi kishte sulmuar fizikisht gruan e tij. Fillimisht ai e kishte goditur me peshqir dhe më pas, pas një debati për fëmijët, e kishte sulmuar me shuplaka dhe grushta.
Më vonë gjatë ditës, pas një konflikti për mungesën e një produkti ushqimor, dhuna ishte përsëritur. Sipas dosjes, Isufi e kishte tërhequr gruan zvarrë, e kishte futur në dhomë dhe e kishte rrahur me kabllo elektrike, ndërsa vajza e tyre kishte ndërhyrë duke iu lutur të ndalonte.
Në dosje thuhet se pas dhunës, Isufi e kishte kërcënuar gruan duke i thënë: Ti nuk guxon me u nda prej meje, se ka me t’i vra krejt familjen.
Vendimi i gjykatës: 154 ditë burg dhe gjobë
Për këto veprime, Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte dënuar Isufin me 154 ditë burg dhe 300 euro gjobë për dhunë në familje, si dhe 500 euro gjobë për veprën penale të kanosjes.
Megjithatë, pas ankesës së avokatit të tij, Gjykata e Apelit më 26 qershor 2025 vendosi që t’i ulë dënimin në vetëm tre muaj burg dhe 300 euro gjobë, duke arsyetuar se dënimi kishte “arritur efektin e përgjegjësisë tek i dënuari”.
“Jetë nën dhunë e frikë”
Në deklarimet e saj, bashkëshortja e Isufit kishte treguar se për vite të tëra kishte përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike. Ajo kishte rrëfyer se burri i saj nuk e lejonte të përdorte telefon dhe e mbante të izoluar për shkak të xhelozisë. Pas një periudhe ndarjeje, gruaja ishte rikthyer në shtëpinë e përbashkët më 22 prill 2025, me ndërmjetësimin e familjarëve të dy palëve.
Nga dënimi për dhunë, te dyshimet për vrasje
Aktualisht, Astrit Isufi është i dyshuari kryesor për vrasjen e dy vëllezërve të gruas së tij në Gollubovc të Malishevës. Policia ka konfirmuar se ai është gjithashtu i plagosur dhe ndodhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po trajtohet dhe gjendja e tij raportohet e qëndrueshme.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy armë zjarri, ndërsa Isufi kishte qëndruar në arrati për më shumë se 15 orë, derisa u arrestua më 7 nëntor 2025 në fshatin Plloçicë.
