Denoncimi
PS vijon transparencën e të ashtuquajturve si bllokmenë blu
Në ditën e katërt të transparencës së pasurive të familjarëve të qeveritarëve, Partia Socialiste nëpërmjet deputetit Taulant Balla u fokusua te përfitimet e vajzës së Kryeministrit, Argita Berisha, dhe të bashkëshortit të saj, Jamarbër Malltezi. “Gjatë dy ditëve të fundit, ne treguam se si vajza e Kryeministrit paguhej plot 146 milionë lekë në vit si mësuese, 12 milionë lekë në muaj, pagë që krahasohet vetëm me zëvendëspresidentin e SHBA-së. Mësuese: 146 milionë lekë në vit, 12 milionë lekë në muaj, për Argita Berishën, aq sa rroga e përbashkët e 20 drejtorëve të shkollave në kryeqytet. Treguam gjithashtu të ardhurat e vajzës së Kryeministrit nga qiratë e apartamenteve të shumta që ka në pronë në Tiranë. Plot 3 apartamente në Tiranë dhe të paktën një vilë në Gjirin e Lalëzit. Vetëm duke vjelë qiratë, zonja Berisha ka përfituar 55 milionë lekë të tjera, vetëm në një vit.
Por kjo nuk mjafton për vajzën e Kryeministrit”, tha Balla. Më tej sekretari i grupit të PS-së u shpreh se “nëse Argita Berisha në një vit ka përfituar plot 146 milionë lekë nga mësimdhënia, nuk mbetet prapa as bashkëshorti i saj. Plot 70 milionë lekë për Jamarbër Malltezin, sipas deklaratës së tij të pasurisë, të fituara po ashtu nga mësimdhënia, gjatë një viti. Për ta bërë sa më të qartë për të gjithë shqiptarët, çifti Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi në një vit janë paguar 216 milionë lekë si mësues, ndërkohë që fitimet e tyre vjetore janë plot 313 milionë lekë”. Për socialistët, ky është çifti më i paguar i bllokmenëve blu, vajza dhe dhëndri i Kryeministrit. “Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi, të cilët në një vit kanë fituar 313 milionë lekë. Pas një llogarie të thjeshtë, sipas kësaj tarife, del se Jamarbëri jep me këtë tarifë 2333 orë mësim, ndërsa Argita thyen çdo rekord duke rezultuar se jep 4867 orë mësim në vit. Me këtë llogari mjaft të thjeshtë na rezulton se zonja Argita Berisha, në 223 ditë shkollore në total, jepka mësim gati 22 orë në ditë, pavarësisht në është ditë apo natë. A mund të besohet kjo? Mendoj se ka ardhur momenti që zonja Berisha të shpjegojë vetë shifrat që ajo ka deklaruar si individ i lirë”, tha Balla.