Deputetja Marjana Koçeku kishte dhe një përgjigje për kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i cili i kërkoi që të kthente mandatin e fituar nën logon e të majtës. Në një intervistë për “Shqipëria Live”, Koçeku tha se në zgjedhje ka marrë pjesë me emër e mbiemër, pavarësisht se ishte në listat e mbyllura. Ajo tha se fushata që ka zhvilluar i solli votat e nevojshme për të hyrë në Kuvend dhe për këtë është betuar në Kushtetutë.
“Unë kam kryesuar listën e mbyllur të Shkodrës. Unë këtë sistem e zgjodha, pavarësisht se më pëlqen apo jo. Fakti që unë kryesoj listën e mbyllur të PS nuk më detyron të dorëzoj mandatin. Jam betuar mbi Kushtetutë dhe kjo më jep të drejtën të ushtroj detyrën në Kuvend si përfaqësuese e qytetarëve. Kur jam bërë pjesë e PS-së, jam bërë pjesë me emër dhe mbiemër dhe kam qenë pjesë aktive e fushatës ku kam kërkuar vota për PS-në. Votat nuk kanë ardhur vetëm nga elektorati besnik i PS-së, por edhe nga elektorati gri apo dhe demokrat. Kështu që këto vota më japin mua mandatin. Ata mund të më gjykojnë për aktivitetin e mëtejshëm dhe ata mund të më gjykojnë nëse po i përfaqësoj apo jo. Jam më se e bindur që ky është vendimi i duhur. E di që do i përfaqësoj më mirë qytetarët në këtë mënyrë. PS-në e kam lajmëruar vetëm nëpërmjet statusit në rrjetet sociale. Kjo ishte zgjedhja ime që të mos ndikohesha nga asnjë palë.”– tha ajo.
