Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e akuzuar këtë të fundit për shmangie nga drejtësia.

Në reagimin e tij në rrjetet sociale Balla thekson se “gënjeshtari, frikacaku dhe i keqi nuk fshihen dot gjatë — e vërteta i zbulon vetë”, duke iu referuar situatës së krijuar pas përpjekjeve të SPAK për t’i dorëzuar njoftime zyrtare Berishës në adresën e banimit dhe në vendet e punës.

Sipas deklarimeve të bëra publike, rojet e banesës dhe sekretaritë e institucioneve ku Berisha ushtron detyrat e tij politike kanë refuzuar të marrin dokumentacionin e prokurorisë.

Balla nënvizoi se procesi gjyqësor për ngjarjet e 21 Janarit, tashmë i rihapur pas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përbën “testin e së vërtetës” për drejtësinë shqiptare dhe se koha kur urdhërat e Prokurorisë nuk zbatoheshin “ka përfunduar përgjithmonë”.