Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit Taulant Balla prezantoi listën e 51 kandidatëve të PS në Këshillin Bashkiak të Elbasanit.


Në një tryezë me deputetët e Elbasanit, kryetarin aktual të bashkisë dhe kandidatin për kryetar në zgjedhjet e 30 Qershorit Gledian Llatja, Balla prezantoi të 51 emrat të zgjedhur me kujdes nga strukturat e PS.


Balla deklaroi se në të ardhmen bashkëpunimi mes deputetëve dhe këshilltarëve duhet të jetë më i madh, madje propozoi takime të përmuajshme mes palëve, për të diskutuar problematikat e marra nga takimet me qytetarët.


“Kodi Zgjedhor parashikon që 30 qershori është afati i fundit për zgjedhjet vendore.


Është shumë e rëndësishme që ne t’i përmbahemi respektimit të parashikimeve të Kodit Zgjedhor për sa i përket zhvillimit të fushatës. Fushata do të zhvillohet vetëm në 30 ditët e parashikuara nga kodi dhe për ne si Parti Socialiste, zhvillimi i një fushte në respektim të të gjitha kushtëzimeve që vendos Kodi Zgjedhor është mjaft e rëndësishme. Zgjedhjet do të zhvillohen. Kush guxon të pengojë, qoftë edhe një zgjedhës të vetëm të shkojë për të ushtruar të drejtën e vet, Kodi Penal është i qartë. Të gjithë e dinë se çfarë i pret nëse guxojnë të pengojnë një zgjedhës të shkojë të votojë, nëse guxojnë të dëmtojnë një qendër votimi, apo një material votimi”, u shpreh Balla.


Ai shtoi se derisa të fillojë fushata, Shqipëria pret një vendim shumë të rëndësishëm siç është fillimi i bisedimeve për anëtarësim, rekomandimi i Komisionit Europian, i cili me të gjitha gjasat dhe konfirmimet do të jetë një rekomandim pozitiv.


“Çdo përpjekje, qofshin me bomba molotov, apo me dhunë kundër institucioneve për të penguar fillimin e bisedimeve, për të penguar rrugën europiane të Shqipërisë, për të penguar vijimin e mëtejshëm të Reformës në Drejtësi nuk ka për t’ja dalë dot. Kjo është një gjë e sigurt. Të gjithë shqiptarët janë të bindur se ne duhet të ecim në rrugën e nisur”, tha ai.


Përzgjedhja e kandidaturave për Këshillin Bashkiak të Elbasanit është bërë në respekt të plotë të barazisë gjinore, po ashtu njësitë administrative do të kenë përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Qytetit.