Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka hedhur në Kuvend idenë për ndalimin e rrjeteve sociale për të miturit nën 16 vjeç. Balla përmendi si shembull shtete si Franca, Spanja apo Australia që tashmë janë duke e zbatuar këtë masë, teksa tha se bëhet për të mbrojtur fëmijët.

Gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh se është detyrim i Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Brendshme dhe i të gjithë aktorëve të tjerë institucionalë të forcojnë masat për mbrojtjen e fëmijëve.

“Do ta votoja me shumë kënaqësi një vendim për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, një praktikë që po ndiqet nga vende që marrin përgjegjësi si Franca, Spanja dhe Australia”, u shpreh Balla, duke theksuar se një vendim i tillë duhet të merret përmes një konsultimi të gjerë publik.