Kreu i grupit të PS, Taulant Balla ka ironizuar kandidatin e pavarur për Tiranën, Florian Binaj i cili mbështetet nga opozita. Gjatë fjalës në Kuvend, Balla iu përgjigje me ironi ndërhyrjeve të Belind Këlliçit duke i thënë se PS synon që ta thellojë diferencë në kryeqytet nga 40 mijë vota që e kishin me Këlliçin në 80 mijë vota.

“Ju e dini si dilni me ne në Tiranë. E para: objektivin e kemi t’jua dyfishojmë diferencën. Nga 40 që e kishim me ty, do ta çojmë në 80 diferencën, sepse Tirana voton Edi Ramën dhe Partinë Socialiste”, tha Balla.

Duke iu referuar faktit që kandidati Binaj ishte edhe moderator i televizionit të familjes Berisha, Balla tha se Binajn nga zarin e Shkëlzen Berishës e kthyen në kukullën e Sali Berishës.

“O Belind, Tirana voton Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, dhe Ogerta Manastirliu është njeriu i duhur në kohën e duhur për të shëruar edhe disa probleme të tjera që ka Tirana. Ndërkohë që ju jeni aq të paaftë, sa në vend që të dilte njëri prej jush si kandidat, s’ua mbajti, dhe në fund e di si do të thoni:

“Po futëm këtë, prandaj humbëm kaq thellë, se po të kishte dalë ndonjëri nga ne, do humbnim pak më pak.” Me këtë e keni thjeshtë. Sepse morët Zarin e Zenit te “Piranjat” dhe e bëtë kukullën e Saliut për në Tiranë”, tha Balla.

“Kujtoni ju se se Tirana s’e njeh ‘Zarin’ e Zenit?”, pyeti Balla me ironi duke theksuar se qytetarët do votojnë PS dhe Ogerta Manastirliun.