Dështon sërish ballafaqimi mes të penduarit të drejtësisë Luftar Reçi dhe të pandehurve Viktor Ymeri, Emiljano Shullazi, Indrit Taullai dhe Indrit Rusi, të akuzuar për vrajsen e Klodian Saliut e Vajdin Lames. Ditën e sotme nuk u paraqit në seancë Reçi, ndaj GJKKO kërkoi paraqitjen e tij të detyrueshme. Në arsyetimin e tij, Reçi tha se e ka të pamundur të paraqitet në seancën e sotme, pasi vuan nga diabeti. Po ashtu, ai tregoi se ka qënë i pranishëm në 5 seancat e mëparshme, mirëpo të gjitha dështuan. 

“Nuk kam mundësi të paraqitem. Vuaj nga diabeti, më rrezikohet jeta. Jam paraqitur 5 herë, seancat nuk janë bërë, nuk është faji im.”- është shprehur Reçi.

Por çfarë rrëfeu Luftar Reçi?

Ngjarja e parë kriminale është vrasja e Klodian Saliut, i njohur si rivali i Lulzim Berishës, e ndodhur më 26 shkurt 2005, ku Saliu u ekzekutua në Maminas dhe që prej asaj kohe gjithnjë është përfolur se pas ngjarjes qëndronte Lulzim Berisha. Ngjarja e dytë kriminale, që SPAK akuzon grupin si ekzekutor është vrasja e biznesmenit Vajdin Lame. Biznesmeni u vra me lëndë shpërthyese më 27 shkurt të vitit 2005, dhe bashkë me të humbi jetën edhe Artan Arsi. Dosja.al, raportoi ekskluzivisht rihapjen dosjeve të bujshme të dy vrasjeve që tronditën Shqipërinë në vitin 2005 duke siguruar dhe dosjen hetimore pas rrëfimit të të penduarit Luftar Reçi. “Asgjë nuk harrohet” mori emrin operacioni që vuri në pranga disa nga të akuzuarit.