Riti Tradicional i Përgatitjes së Ballakumes shpallet pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale, si një ëmbëlsirë tradicionale që përfaqëson në mënyrë autentike identitetin dhe traditën tonë kulinare, e lidhur ngushtë me festën e Ditës së Verës dhe me rrënjë të hershme në trevën e Elbasanit.
Familjet elbasanase kanë ruajtur me fanatizëm recetën e kësaj ëmbëlsire dhe pajisjet qindravjeçare të përshtatshme për gatimin e saj.
“E kemi ruajtur siç ka e kanë lënë të parët tanë me enët tona tradicionale siç është kusia, siç është luga e drurit, siç është sofra dhe çdo gjë e antile që ka qyteti jonë i Elbasanit. Kusia ime është 250 vjeçare. E ruaj me fanatizëm sepse e kam trashëgimi nga stërgjyshja ime”, shprehet Kreshnik Kaliqi.
Kreshniku e gatuan ballokumen prej gati 40 vitesh. Për të ky vendim i Ministrisë së Kulturës ishte vlerësim për stërgjyshet që e trashëguan brez pas brezi, me premtimin që kjo traditë do të vijojë.
“Vlerësim që u bëhet të parëve tanë në shekuj, mbi 400 vite që gjyshërit, stërgjyshërit e prindërit tanë e kanë trashëguar më dashuri e përkushtim te madh dhe ne do tua lëmë fëmijëve tanë”, shprehet më tej ai.
Ballokumja e Elbasanit është e vetmja ëmbëlsirë, e cila gatuhet vetëm sipas një recete e cila ka mbi 540 vjet që nuk ndryshon, të paktën në këtë zonë. Dita e Verës nuk ka kuptimin e saj pa ballokumen të gatuar më miell misri gjalpë e vezë fshati.
Top Channel
