Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, ish-zv.kryeministres Belinda Balluku dhe biznesmenit Roni Yeffet, duke pretenduar se përmes kompanisë shtetërore KAYO është ngritur një skemë që ka sjellë përfitime prej dhjetëra milionë eurosh nga fondet publike dhe pronat shtetërore.

Sipas Balliut, çështja ka të bëjë edhe me sigurinë kombëtare, si dhe me marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deputeti demokrat pretendoi se qeveria ka ndryshuar strukturën e pjesëmarrjes së KAYO-s në partneritetet me kompanitë private, duke e ulur pjesëmarrjen e saj nga 45% në 20%. Ai përmendi si shembuj kompanitë Timak Defense, Guna Tactical dhe Advanced Arm Technology, për të cilat pretendoi se nuk plotësojnë kriteret për kapitalin, investimet dhe numrin e punonjësve.

Balliu akuzoi gjithashtu qeverinë se u ka vënë në dispozicion këtyre partneriteteve prona shtetërore me vlerë të konsiderueshme.

Sipas dokumenteve që, siç deklaroi ai, ka administruar, kompanitë e lidhura me KAYO-n kanë përfituar deri tani rreth 45 milionë euro nga fondet publike, për kontrata që lidhen me uniforma, automjete, pajisje teknike dhe sisteme kundër dronëve.