Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka ngritur akuza të forta ndaj zv. kryeministres Belinda Balluku dhe mazhorancës, pas daljes nga mbledhja e Këshillit të Mandateve.

SPAK solli prova që rëndojnë pozitën penale të zv/kryeministres së pezulluar, e megjithatë, sipas Bardhit, mazhoranca po i bëhet mburojë Ballukut. Demorkati tha se nga 10 vite burgim që ishte fillimisht dënimi i mundshëm për Ballukun në rast se shpallet fajtore, tashmë ka shkuar në 35 vite burg me provat e reja. Janë dy forma sipas tij, kërcënimi dhe intimidimi, i dëshmitarëve, funksionarëve të kabinetit ë Ballukut por edhe të të pandehurve të dosjes.

“Edi Rama ka urdhëruar 5 anëtarët e tij të komisionit të bëhen mburojë të të inkriminuarës Belinda Balluku. Po SPAK tha sot se pozita e Ballukut është rënduar me provat e reja. Por masat nuk mbrojnë dot hetimin e pavarur dhe të plotë të çështjes. Prokuroria tha sot në Komision se masat në GJKKO i ka kërkuar fillimisht kur veprat që akuzohej Balluku parashikonin dënim me 10 vite burg, kurse tani me provat e reja, zonja Balluku rrezikon deri në 35 vite burg. Pra jemi në një situatë të rënduar të krimeve të saj. Prokurorët i kanë vendosur në dispozicion këshillit të Mandateve provat se si Balluku është e lidhur me persona të krimit të organizuar dhe përmes tyre, që prokurorët i cilësuan të fortë, kanë kërcënuar me jetë dëshmitarë në favor të Ballukut dhe gjithashtu intimiduar anëtarë të kabinetit të Ballukut”, tha deputeti demokrat.