Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka rikthyer në vëmendje çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke kërkuar ndërhyrjen e SPAK-ut dhe duke ngritur shqetësime për vonesat në procesin e drejtësisë.

Në reagimin e tij, Bardhi kundërshton faktin që Balluku vijon të jetë e lirë dhe të ushtrojë funksione publike, ndërsa ndaj saj ngre pretendime për përfshirje në 14 vepra penale.

Sipas Bardhit, ligji duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë për çdo qytetar, pavarësisht pozicionit apo ndikimit politik. Ai thekson se drejtësia nuk duhet të ndikohet nga vullneti politik dhe as të kushtëzohet nga pushteti, duke kërkuar që institucionet përgjegjëse të veprojnë për çështjen në fjalë.

Reagimi i kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi:

“DITA 32 – Drejtësi pa vonesa!

Është e papranueshme që një person i akuzuar për 14 vepra penale — 2 akuza për korrupsion, 2 për pastrim parash, 2 për fshehje pasurie dhe 8 për shkelje të barazisë në tendera — të vazhdojë të jetë i lirë dhe të ushtrojë funksione publike, duke marrë vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Mosveprimi dhe zvarritja në çështjen e Belinda Ballukut ngrenë pikëpyetje serioze mbi zbatimin e barabartë të ligjit dhe forcojnë perceptimin se në Shqipëri, për njerëzit me pushtet ose të mbrojtur nga pushteti, drejtësia ecën me një ritëm tjetër.

Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Pa përjashtime. Pa privilegje. Pa standarde të dyfishta.

SPAK duhet të veprojë me vendosmëri dhe pa vonesa të pajustifikuara, në përputhje me ligjin. Akuzat penale janë serioze dhe kërkojnë përgjigje institucionale, jo heshtje apo zvarritje.

Drejtësia nuk mund të presë sinjale politike dhe as të kushtëzohet nga vullneti i Kryeministrit. Ajo duhet të veprojë e pavarur, me integritet dhe me të njëjtin standard për këdo.

Dita e 32-të e pritjes është një tjetër ditë ku kërkohet përgjegjësi. Askush nuk është mbi ligjin. Askush nuk duhet të jetë i paprekshëm. Drejtësia duhet të veprojë!”