Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku duke folur nga Universiteti Politeknik i Tiranës ka deklaruar se të rinjtë shqiptarë dinë të shkëlqejnë kur iu jepet mundësia.

Gjatë fjalës së saj, Balluku u shpreh se marrëveshja që MIE po firmos me UPT-në shënon fillimin e një nisme të re të favorshme.

“Këto nuk janë thjesht statistika. Janë histori suksesi që tregojnë se të rinjtë shqiptarë, kur i jepet mundësia, dinë të shkëlqejnë. Jam shumë e lumtur që sot, çelet një tjetër dritare. Marrëveshja që nënshkruajmë sot shënon fillimin e një nisme të re, që këtë radhë lidhet me një tjetër ndërmarrje në Republikën e Shqipërisë. Ka edhe një element tjetër ky bashkëpunim, barazinë gjinore. Kur flisnim me rektorin dhe me përfaqësuesit e Bankës Botërore, ne i treguam se në punën e rëndë ka shumë vajza dhe gra që punojnë.

Nga ana tjetër, do të doja të sqaroja pak si do të funksionojë, sepse edhe teknikalitetet janë të rëndësishme. Në rastin e parë fillojmë në muajin nëntor dhe përfundon në muajin prill. Në rastin e dytë, fillon në muajin mars dhe përfundon në muajin maj. Pjesë integrale e kurrikulës do të jenë vizitat e përjavshme në terren. Mund të uleni në tryeza, të lexoni projekte dhe libra, por vendi që mësoni më shumë janë kantieret. Aty do të mësoni si zhvillohet infrastruktura e vërtetë. Jemi duke kaluar në një nivel tjetër. Kur unë fillova të drejtoja trafikun ajror, ishte një nga punët më të kërkuara. Sot ne do të zhvillohemi edhe në dy sektorë të njëjtë model, që është ai i trafikut detar dhe të gjithë rrjetin hekurudhor. Sot do të përfitoja nga rasti t’ju thoja edhe një fakt të rëndësishëm,”- tha Balluku.