Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot nga Kuvendi lidhur me akuzat e opozitës për tenderin e tunelit të Llogarasë, duke theksuar se opozita nuk duhet të marrë rolin e prokurorit në rrugë, pasi sipas tij, hetimi duhet të bëhet nga organet përkatëse të drejtësisë. Rama foli për këtë çështje gjatë seancës plenare, ku ishte e pranishme edhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila është nën hetim nga SPAK për lidhje me këtë tender.
Në lidhje me akuzat për vjedhjen e 50 milionë eurove, Kryeministri mohoi kategorikisht çdo keqpërdorim të fondeve, duke e cilësuar të pavërtetë informacionin e publikuar. “Nuk ka pasur asnjë vjedhje prej 50 milionë eurosh. Këto janë akuza të pabaza dhe opozita nuk ka asnjë provë për t’i mbështetur ato,” tha Rama, duke mbrojtur ministren Balluku dhe duke i bërë thirrje opozitës të ndalë përpjekjet për të politizuar çështjen.
“Gënjeshtrat tuaja të vetëdijshme apo jo, janë me dhjetëra herë mbi realitetin. Përsa i përket tunelit të Llogarisë, ai 50 mln euro është si 450 mln euro i inceneratorit. Ndërkohë, i rrini fort ligjit andej. Natyrisht që sot pikërisht pse drejtësia është e pavarur, shqiptarët i referohen drejtësisë dhe jo atyre që duan të bëjnë prokurorin rrugëve dhe që pastaj kur dalin në rrugë, mbeten kashtë e koqe, siç më thanë se kishit mbetur para dy netësh.”, tha ai.
