Kryeministri Edi Rama ka folur në takimin me Grupin Parlamentar të PS-së, në lidhje me pezullimin e zv.kryeministres Belidna Balluku. Rama ka deklaruar sërish se ka refuzuar tre herë dorëheqjen e Ballukut, e cila është marrë e pandehur nga SPAK dhe për të cilën Prokuroria e Posaçme kërkon heqjen e mandatit.
“Nuk do t’i shmangem sot këtu temës që lidhet me Belinda Ballukun, por nuk do të merrem me procesin që ka nisur në Parlament, se do pres raportin e Këshillit të Mandative para se të them edhe unë fjalën time shteruese për temën e imunitetit.
Por, dua të ndaj me ju këtu diçka që e kam thënë edhe pa praninë e publikut përmes mediave. Belinda Balluku mua ma ka dorëzuar dorëheqjen tre herë, qysh në mbrëmjen e ditës që iu ngrit akuza. Jo për korrupsion, se është shumë interesante që ndërkohë që të gjitha tenxheret bëjnë llogaritë duke marrë shumat e shpenzuara për të ndërtuar ato vepra, akuza nuk është për korrupsion.
Nuk ka akuzë për korrupsion, por për pabarazi në tendera. Pastaj ma ka sjellë përsëri dorëheqjen kur u bë pezullimi, pastaj edhe njëherë të tretë kur u ripezullua nga mosvendimi i Gjykatës Kushtetuese. Siç iu kam thënë, e kam hedhur unë poshtë kategorikisht idenë e dorëheqjes. Pse vlen të përsëritet dhe pse dua ta ndaj publikisht? Sepse kam bindjen se në këtë fazë revolucionare të jetës institucionale të vendit, kur ndryshojmë nga vendet me drejtësi dhe institucione të konsoliduara, nuk mund të udhëhiqemi nga dorëheqjet automatike.
E di edhe teorinë partiake të dorëheqjes morale, e cila nuk praktikohet edhe në Evropë njësoj. Sot në Shqipëri, sidomos përmes SPAK, ka filluar të bëhet shërbim i pamohueshëm, por po bëhet dhe dëm mbi administratën, duke shkelur parimin e pafajësisë. Është kollaj të thuash se në Gjermani një ministër i akuzuar jep dorëheqjen, por kjo nuk ndodh në Itali apo në Francë gjithmonë.”, tha ai”- tha ai.


