Opozita ka dorëzuar sot në Parlament një raport lidhur me anëtarët demokratë në Këshillin e Mandateve, ku kërkohet dhënia e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Në dokumentin prej 48 faqesh, opozita ka përfshirë pjesë nga mbledhja me dyer të mbyllura, ku sipas saj, prokurorët kanë konfirmuar se ka pasur kërcënime ndaj dëshmitarëve dhe prishje të provave lidhur me hetimet që po zhvillohen. Kjo kërkesë vjen pas akuzave të ngritura ndaj Ballukut, për të cilat opozita ka kërkuar që të marrë masat përkatëse ligjore.

Raporti do të shqyrtohet nga Kuvendi, dhe më pas do të vendoset nëse do të japë autorizimin për hetimin dhe mundësisht arrestimin e Ballukut nga SPAK.

Pjesë nga raporti i PD

* Pretendimet e prokurorisë nuk janë as haptazi dhe as qartazi të pabazuara. Ajo ka shoqëruar kërkesën e vetë me relacionin përkatës dhe me një numër të lartë provash (80 prova konkrete) në kuptim të nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale.

* Akuzat e ngritura nga ana e prokurorisë dhe kërkesa e saj për dhënie autorizimi (heqjen e imunitetit) nuk bazohen në ndonjë veprimtari politike të deputetit. Akuzat lidhen ekskluzivisht me abuzime në ushtrimin e funksioneve të tjera publike, që nuk kanë asnjë lidhje me veprimtarinë politike të deputetit.

* Shkeljet penale që deputeti i atribuohen, në mënyrë të qartë nuk janë të bazuara në motive politiko-partiake dhe as kanë për qëllim shkelësimin apo intimidimin e deputetit apo ndikimin e mandatit të tij. Nga vetë deputeti as nuk u pretendua një motiv i tillë politik.

* Heqja e imunitetit të deputetit, nuk e vë në rrezik serioz funksionin demokratik të parlamentit as edhe të drejtat themelore të vetë deputetit apo ndonjë grupi parlamentar. Është fakt që grupi parlamentar ku deputeti Belinda Balluku është anëtare ka mjaftueshëm deputetë për të garantuar funksionimin e pavarur të aktivitetit parlamentar.

* Vetë kërkesa për dhënie autorizimi (heqje imuniteti) është përshkruar në aktet e Prokurorisë se bazohet në shkaqe të drejta, të rëndësishme dhe të sinqerta. Ato kanë lidhje me procedimin penal, bëhen në funksion të tij, si nevoja të domosdoshme për t’u kryer.

* Shkelja e pretenduar nga ana e prokurorisë (akuza) është veçanërisht e rëndë, për shkak se ajo është e përsëritur dhe për një fond publik me vlerë jashtëzakonisht të lartë – 1.1 miliard euro. Demi i përllogaritur financiar gjithashtu dyshohet të jetë i madh. Krimi klasifikohet në sferën e krimeve të rënda. Për konceptin e krimit të rëndë, në mungesë të një përcaktimi në Kodin e Procedurës Penale, i referohemi Konventës së Kombeve të Bashkuara Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, pjesë e legjislacionit të brendshëm, ratifikuar me ligjin nr. 8920, datë 11.07.2002, që përcakton: “Krim serioz është ai veprim që përbën vepër penale të ndëshkueshme me një dënim maksimal të heqjes së lirisë prej të paktën katër vjetësh, ose me një dënim më të rëndë”. Duke pasur parasysh edhe që po hetohen disa vepra penale për të njëjtin fakt dhe duke u përsëritur në të vetmen, sanksioni rritet, kjo duke pasur parasysh edhe dëmin që mund të jetë shkaktuar, sepse organi i prokurorisë konfirmojë se nuk po hetohet vetëm veprime në kuadër të procedurës, por po hetojmë edhe në raport me dëmin ekonomik të mundshëm të shkaktuar, përfshirë edhe veprimet dhe çdo fakt tjetër penal që do të rezultojë.

* Shkelja që i atribuohet deputetit e për të cilat kërkohet heqja e imunitetit, nuk është pasojë e veprimtarisë së tij si parlamentare.

* Dhënia e autorizimit (heqja e imunitetit) është një barrierë e vërtetë, e cila nëse nuk realizohet, atëherë verifikohet një pengim real i drejtësisë.

* Mosdhënia e autorizimit, është një akt i cili komprometon tërësisht autoritetin dhe legjitimitetin e Parlamentit në sytë e publikut dhe në marrëdhëniet institucionale me organet e tjera, për shkak se shkelet pa asnjë motiv ligjor parimi kushtetues i barazisë përpara ligjit.