Për shkak të ngrohjes globale, fruta ekzotike mund të bëhet ushqimi kryesor
Ndryshimet klimaterike në planetin tonë mund të detyrojnë shumë vende të botës të përdorin bananen si burim kryesor ushqimi për miliona njerëz, thuhet në një raport shkencor të publikuar së fundmi. Kërkuesit në institutin CGIAR thonë se në vendet në zhvillim, ku aktualisht patatja zë rol të rëndësishëm si burim kalorish, banania mund ta zëvendësojë atë.
Në anën tjetër, edhe fruta kasava, si dhe një bimë pak e njohur e familjes së groshës, do të luajnë rol gjithnjë e më të madh. Njerëzit do të detyrohen të përshtaten me ndryshimin e menyve ndërsa bimët aktualisht tradicionale do të vuajnë nga pamundësia për t’u përshtatur me temperaturat më të larta dhe më të variueshme.
Duke iu përgjigjur kërkesës nga Kombet e Bashkuara për sigurinë ushqimore të planetit, një grup ekspertësh të kësaj fushe analizuan efektin e pritshëm të ndryshimeve klimaterike në 22 prodhimet bujqësore më të rëndësishme të botës.
Ata vlerësojnë se tri bimët që prodhojnë pjesën më të madhe të kalorive të planetit – misri, orizi dhe gruri – do të kenë rendimente më të ulëta në shumë vende në zhvillim. Ata mendojnë se ka shumë gjasa që patatet, të cilat rriten më mirë në vende më të ftohta, do të vuajnë gjithashtu, ndërsa temperaturat rriten dhe luhaten më fort.
Autorët argumentojnë se këto ndryshime “mund t’i hapin rrugë kultivimit më të madh të disa varieteteve të bananeve” në lartësi më të mëdha, madje edhe në shumë vende ku sot kultivohet patatja.
Dr. Philip Thornton është një nga autorët e raportit. Ai i tha BBC se ndërsa bananet kanë kufizimet e veta, ato mund të bëhen zëvendësuese të mira të patates në disa zona klimaterike.
“Nuk është domosdoshmërisht një plumb prej argjendi, por ka shumë vende ku rritja e temperaturave mund ta bëjë bananen një alternativë të mirë për njerëzit me pak tokë”, tha ai.
Raporti e përshkruan grurin si bimën më të rëndësishme të botës për sa i përket njëkohësisht kalorive dhe proteinave që siguron për njerëzimin. Por sipas shkencëtarëve, gruri do të përballet me një të ardhme të vështirë në botën në zhvillim ku çmimet më të larta të pambukut, misrit dhe sojës kanë bërë që gruri të mbillet vetëm në toka të cilësisë së dytë, gjë që e bën më të prekshëm më shumë nga ndryshimet klimaterike.
Një zëvendësues, veçanërisht në Azinë e Jugut, mund të jetë kasava, një bimë e aftë për të toleruar shumë probleme të krijuara nga klima.
Por a do të jetë e lehtë për njerëzit të përshtaten me bimë të reja dhe dieta të ndryshuara? Bruse Campbell është drejtor i programit për ndryshimin e klimës te një grupim shkencor që studion sigurinë ushqimore dhe zhvillimin e bujqësisë. Ai thotë se llojet e ndryshimit që do të ndodhin në të ardhmen, kanë ndodhur në fakt edhe në të shkuarën.
“Dy dekada më parë nuk kishte pothuajse fare konsumim orizi në disa pjesë të Afrikës, por tani ka. Njerëzit kanë ndryshuar për shkak të çmimeve dhe mundësisë për ta blerë apo lehtësisë për ta gatuar. Unë besoj se këto lloj ndryshimesh nuk janë të vështira”, tha ai.
Proteinat nën presion
Një nga shqetësimet kryesore mes shkencëtarëve është si të plotësohen nevojat për proteina në dietë. Soja është një nga burimet më të përdorura të proteinave, por është shumë e dëmtueshme nga ndryshimet klimaterike.
Shkencëtarët thonë se një lloj groshe, e cila është e njohur në Afrikën Subsahariane si “mishi i të varfërve”, arrin të prodhojë edhe në kushtet e thatësirës dhe është e përshtatshme në klimë më të ngrohtë. Kjo mund të jetë një alternativë e arsyeshme ndaj sojës. Frutat e kësaj bime mund të përdoren gjithashtu edhe për ushqim kafshësh.
Në disa vende si Nigeria apo Nigeri, fermerët sakaq kanë lëvizur nga pambuku te kjo lloj groshe. Ndryshime pritet të ndodhin edhe në llojin e bagëtive që rrisim si burim proteinash. Për shembull, në shumë vende të Afrikës, lopët po zëvendësohen me dhi, të cilat e përballojnë më mirë thatësirën.