Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për 4 personat e arrestuar si të dyshuar lidhur me ngjarjet e ndodhura në 10 shkurt në kryeqytet. Vlerësimi i masës së sigurisë ndaj Kamber Brukës, Lumjan Matmujës, Erjon Dules dhe Ernest Gjutës, pjesë e grupit prej 7 personash që dyshohen përgjegjës për shpërthimet me tritol në kryeqytet, u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor. Gjykata ka deklaruar se ndalohet publikimi i çdo të dhëne apo materiali që ka të bëjë me të ashtuquajturën ‘Dosja e tritolit’.
Të pandehurit dyshohen të kenë kryer vepra me qëllime terroriste, krijim të grupit të strukturuar kriminal dhe pjesëmarrje në grup kriminal.
Lidhur me këto ngjarje janë shpallur në kërkim edhe 2 persona të tjerë, Baftjar Bruka dhe Vladimir Gjuta, i cili besohet të jetë organizatori i shpërthimeve me tritol në farmacinë në pronësi të Bashkim Tahirit, babai i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri si dhe për tritolin e vënë në stacionin e autobusit pranë ‘Vasil Shantos’, që fatmirësisht nuk shpërtheu. Për të njëjtat akuza është arrestuar më herët edhe Emirjon Gjuta, i cili kishte shitur telefonin celular të përdorur në shpërthimin me tritol në farmacinë e Tahirit.
28 shkurt 2015 (gazeta-Shqip.com)